Berat Rukiqi i bashkohet LDK-së

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, ka thënë se sot iu është bashkuar këtij subjekti ekonomisti Berat Rukiqi.

“Ligjëruesi universitar e doktoranti i ekonomisë Berat Rukiqi, nga sot është pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Si ekonomist i dalluar e si aktivist i pandalshëm i angazhimit publik për një shoqëri të zhvilluar, Berati me gjithë bagazhin e tij intelektual e profesional do t’i japë vlerë projektit tonë politik” – tha Abdixhiku në rrjetin social Facebook.

Abdixhiku ka shpalosur edhe përvojën e Rukiqit duke thënë se ka magjistruar në Bruksel mbi Politikat Ekonomike të Bashkimit Evropian, gjersa vazhdon studimet e doktoratës në Universitetin e Prishtinës.

“Si udhëheqës i Odës Ekonomike të Kosovës, ai ka artikuluar në vazhdimësi pikëpamje të një ekonomie të lirë e të fuqishme. Ai i njeh mirë të gjitha sfidat e sektorit privat, sikurse dhe njeh mirë domosdoshmërinë e kohës për një ambient që ankoron vendin tonë në stade të reja zhvillimore” – thuhet në njoftimin e Abdixhikut.

Lideri i këtij subjekti tha se LDK është e lumtur që si adresë e vetme e njerëzve profesionistë po shton radhët e veta secilën ditë.

“Gjatë vitit të fundit, sikurse Berati, LDK-së e strukturave tona u janë bashkuar aktivistë të shoqërisë civile, ligjërues akademikë, deputetë e kryetarë komunash. Të gjithë bashkë, do t’i japim vendit një zgjedhje politike të pastër, profesionale e ndërtuese të së ardhmes” – përfundoi ai.

Berat Rukiqi ishte zgjedhur kryetar i Odes Ekonoimike të Kosovës në korrik të vitit 2018.