Foto: KALLXO.com

LDK: Qeveria Kurti janë të paaftë dhe krenarë me paaftësinë e tyre

Berat Rukiqi nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka thënë se qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti janë të paaftë dhe sipas tij, krenarë me paaftësinë e tyre.

Në një konference për media, ish kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, ka thënë se dështimet e qeverisë e kanë burimin në paaftësinë dhe arrogancën e saj.

“Ajo që është me rëndësi të theksohet, është se ato po na vijnë me një faturë të shtrejtë dhe këtë faturë po e pagujnë qytetarët e vendit” – tha Rukiqi para gazetarëve.

“Për habi, ka një aftësi të veçantë nga kjo qeveri dhe veçanërisht nga kryeministri Kurti, që këto paaftësi t’i përkthejnë si suksese dhe rekorde, prandaj kjo qeveri është sinonim i qeverisjes me paaftësi dhe krenari”.

Rukiqi ka përmendur inflacionin në tri vitet e fundit, duke thënë se paaftësia e qeverisë për të menaxhuar atë ka ndikuar në mirëqenien e qytetarëve.

“Siç e shihni në vitin e parë të qeverisjes inflacioni ka qenë 3.2%, pra ka qenë një cikël ekonomik i cili sapo ishim në fillim të daljes nga pandemia dhe shikoni se çfarë kanë arritur si rekord, shifra dyshifrore e inflacionit në 2022 dhe shifër prapë shqetësuese në 2023 (4.9%). Ne e kemi përkthy sa realisht po na kushton në xhep, sa ka kosto kjo për mirëqenien tonë” – tha Rukiqi.

Një tjetër shembull sipas Rukiqit, për paaftësinë e qeverisë, është edhe deficiti tregtar.

Ai ka thënë se asnjëherë nuk ka ndodhur që brenda një periudhe trevjeçare të ketë 55.6% rritje të deficitit tregtar.

“Dështim në përkrahje të eksporteve, dështim në përkrahje të prodhimit vendorë, dështim në përkrahje të sektorit privat. Nga viti 2022 në vitin 2023 kemi plotë 101 milionë euro më pak eksport. Në komplet 8 vjeçarin e fundit, Kosova ka pasur çdo vjet rritje të eksporteve, simbolike por të rëndësishme” – ka thënë Berat Rukiqi.