Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Çka ndikoi në rritjen e çmimeve në Kosovë?

Berat Rukiqi, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) në emisionin “KALLXO Përnime” ka rrëfyer se çfarë ka ndikuar në rritjen e çmimeve në vend dhe në nivel global.

Rukiqi fajin e hedh te pandemia, për të cilën thotë se ka krijuar disa çrregullime në nivel global përfshirë këtu edhe pjesën e ofertës.

Sipas tij, sot në disa vende ka probleme të mungesës së prodhimit për arsye të ndryshme.

“Diku është shfaqur mungesa e transporteve, diku është shfaqur mungesa e burimeve të energjisë, e diku edhe e punëtorëve. Në vendet të cilat varet një pjesë e mirë e ‘output’-it apo prodhimit global, mos të harrojmë se në vendet sikurse India, Kina, në disa periudha kohore, prej që ka fillu pandemia, nuk është punuar me javë dhe muaj të tërë. Kjo ka krijuar pra çrregullime dhe mungesë të produkteve në nivel global”, thotë Rukiqi.

“Pastaj ka qenë një kohë e shkurtër që me u rregullu tregu apo me u përshtatë tregu më këto ndryshime. Në anën tjetër është përcjellë me një fluks të madh të parasë. Sot në sistemin financiar global qarkullon para më shumë se ndonjëherë tjetër në histori. Hera e fundit që ka pasur një shkallë të tillë të qarkullimit të parasë, ka qenë pas Luftës së Dytë Botërore. Tash me një shkallë shumë më të lartë është tani sepse janë injektu mjete të mëdha financiare nga qeveritë e ndryshme për me luftu çdo pasojë të pandemisë”, shton ai.

Sipas Rukiqit, injektimi i parasë në sistem e ngrit kërkesën në nivel global dhe normalisht shton që kjo përcillet edhe me rritje çmimesh.

“Pra nga një krizë e kërkesës njerëzit nuk shpenzonin se i kishin mundësitë e kufizuara në ato ditë e vështira të pandemisë, tani kemi një krizë të ofertës dhe në të një njëjtën kohë kemi një kërkesë në rritje e cila shumë vështirë po përballohet edhe kjo ka kriju çekuilibër d.m.th. në një kërkesë shumë ma e madhe që nuk po përcillet me ofertën e njëjtë ka prodhu rritjen e çmimeve sidomos të produkteve të cilat njihen si strategjike”, u shpreh Rukiqi.

Ndërkaq për rritjen e çmimit të bukës, Rukiqi thotë se ka pasur rritje të çmimit të transportit në shumicën e rasteve mielli apo gruri që vjen në Kosovë, e që si rrjedhojë thotë se çmimi i transportit rrugor të mallrave është rritur dhe kjo është përcjellë me rritjen e çmimit të miellit apo grurit si lëndë e parë.

Në emisionin e sotëm po diskutohet për rritjen e çmimeve. Të ftuar në emision janë Fadil Berjani nga Shoqata e Naftëtarëve, Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës, Sakip Imeri nga Autoriteti i Konkurrencës dhe Ruzhdi Kurtishaj nga Shoqata e Transportit Rrugor.