Muhamet Haliti, shef i asamblistëve të PDK-së në Pejë. Foto: Kallxo.com

PDK i Përgjigjet Gazmend Muhaxherit: Nuk Jemi Patericë

Partia Demokratike e Kosovës në Pejë i është përgjigjur paralajmërimit të kryetarit të komunës, Gazmend Muhaxherit për prishjen e koalicionit mes LDK-së dhe PDK-së në Pejë.

Përçarjet në koalicionin lokal mes dy partive kulmuan sot kur PDK nuk e mbështeti një kërkesë të Ministrisë së Financave që të rishikohet buxheti komunal.

Më herët KALLXO.com raportoi se pas dështimit në votim të kësaj pike, Gazmend Muhaxheri iu drejtua asamblistëve të PDK-së duke u thënë se prej sot “nuk kanë çka lypin” në qeverinë komunale të Pejës.

Në qeverinë lokale të Pejës, LDK ka 9 drejtori komunale ndërsa PDK 4 drejtori.

Por Muhamet Haliti, shef i PDK-së në Pejë, tha se vërejtjet e PDk-së kanë qenë në ridestinimin e mjeteve te Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe shtrati i Lumbardhit.

Ai madje akuzoi LDK-në për nepotizëm dhe paaftësi në zyrën komunale të prokurimit.

“Nuk pajtohemi me ato zyra te prokurimit. Kanë futur njerëz të padijshëm, të shantazhuar dhe për këtë arsye po vonohen projektet madhore që janë për komunën e Pejës dhe për shërbimin e qytetarëve”, tha Haliti pas seancës së sotme.

Atij dukej se nuk i kanë bërë përshtypje paralajmërimet e Muhaxherit për prishje të koalicionit.

“Edhe pse jemi në koalicion dhe kemi qenë në koalicon me ta, ne jemi subjekt që mendojmë vetë edhe nuk jemi patericë e asnjë subjekti politik”, tha Haliti duke shtuar se deklaratat e Muhaxherit janë vendim i tij, dhe se “koalicioni duhet rishqyrtuar nga krerët e partisë”.