ATK kryen kontroll në një dyqan të telefonave celularë - Foto: KALLXO.com

Pas raportimit të KALLXO.com, ATK gjen parregullsi në dyqanet e telefonave mobilë në Prishtinë

Pas pranimit të informacionit nga KALLXO.com se dyqanet të cilat merren me shitblerjen e telefonave në lagjen Ulpiana, në Prishtinë, po i shmangen detyrimeve tatimore, dhjetë inspektorë të Administratës Tatimore të Kosovës kanë dalë në terren.

Udhëheqësi i ekipit, Beqir Gashi, së bashku me dhjetë inspektorët tatimorë gjatë të premtes së kaluar kontrolluan 17 dyqane të cilat merren me shitblerjen dhe servisimin e telefonave mobilë.

Informacioni i qytetarit se këto biznese po u shmangen tatimeve, nuk po i regjistrojnë shitjet, nuk janë të pajisura me arka fiskale dhe nuk i kanë të deklaruar punëtorët, doli të jetë i saktë pasi në 17 dyqanet e kontrolluara u hasën parregullsi të ndryshme.

Pesë nga 17 dyqanet e kontrolluara nuk ishin të pajisura me arkë fiskale, një biznes rezultoi të jetë i paregjistruar, si dhe në dy raste u konstatuan punëtorë të padeklaruar.

Gjatë këtij aksioni u gjetën edhe mallra pa origjinë, të cilat kapnin vlerën e mbi 3 mijë eurove.

Pas kontrollit dhe konstatimit të gjendjes në terren 14 nga 17 dyqanet e kontrolluara u proceduan për në zyrën e ndëshkimeve “Zgjona”.

Javën e kaluar KALLXO.com raportoi për aksionin e ATK-së ndaj dyqaneve të cilat merren me shitblerjen dhe servisimin e telefonave.

https://kallxo.com/atk-ne-aksion-ndaj-mobil-shop-eve-ne-prishtine-per-shmangie-nga-tatimi/

KALLXO.com në vazhdimësi është duke i trajtuar të gjitha informacionet e qytetarëve e në veçanti ato të cilat kanë të bëjnë me dëmtimin e buxhetit të Republikës, me qëllim të luftimit të evazionit fiskal.

Muaj më parë, Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), Ambasada e Britanisë dhe Democracy Plus kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me qëllim rritjen e mbikëqyrjes së shoqërisë civile në proceset e Administratës Tatimore.

Një ndër qëllimet tjera të këtij memorandumi të bashkëpunimit është edhe angazhimi në luftën e kundër korrupsionit, evazionit fiskal dhe ekonomisë joformale.