Paraburgim për të dyshuarin për grabitje në ‘Western Union’

Gjykata e Pejës ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit V.H., i dyshuar se ka kryer grabitje nën kërcënim të armës në filialin e “Western Unionit” në këtë qytet.

Sipas njoftimit të Gjykatës së Pejës, V.H. dyshohet se më 20.08.2018, rreth orës 14:25 minuta, në Pejë, në filialin e “Western Unionit”, me qëllim që vetes t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme, i armatosur me pistoletë të llojit të panjohur dhe me kanosje serioze nën kërcënim me armë ndaj të dëmtuarës, ka kryer veprën penale të grabitjes, në atë mënyrë që gjersa kishte kapelë në kokë pasi hyri në filialin e lartcekur me pistoletë në dorë të njëjtën ia drejton të dëmtuarës nga e cila kërkon që t’ia dorëzojë të hollat dhe menjëherë kalon nga ana tjetër e banakut ku nga arka merr të holla në shumë prej 450 euro dhe pasi që e dëmtuara bërtet, i pandehuri largohet me vrap nga vendi i ngjarjes.

“Me këto veprime i pandehuri V.H dyshohet se ka kryer veprën penale grabitje nga neni 329 par.3 lidhur me par.1  të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji, duke filluar nga data 4 tetor e deri më 3 nëntor.

Gjykata thotë se kundër këtij vendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.