Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Paraburgim Dhëndrit që Plagosi Mikun

Një muaj paraburgim është masa e sigurisë e vendosur ndaj të pandehurit R.A., i cili dyshohet se plagosi mikun e tij.

Kështu, gjyqtari i procedurës paraprake miratoi kërkesën e prokurorit.

Sipas kërkesës së prokurorit për caktimin e paraburgimit, R.A. më 22 janar të këtij viti rreth orës 20:10 në Komoran të Drenasit ka shkuar te shtëpia e babait të gruas së tij, Q.K. dhe ka biseduar me të rreth raporteve familjare.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, pas një fjalosjeje të shkurtër, kur Q.K. është nisur në drejtim të shtëpisë së tij, ka dëgjuar dy apo tri të shtëna dhe ka parë që djali i tij F.K. kishte mbetur i plagosur, ndërsa i dyshuari kishte ikur nga vendi i ngjarjes.

I dyshuari është arrestuar të nesërmen në mëngjes në një restorant në Sllatinë.

Prokuroria pretendon se i dyshuari ka kryer veprën penale të tentim-vrasjes.

http://kallxo.com/dhendri-plagos-mikun/

Caktimin e paraburgimit ndaj të mbrojturit të tij e kundërshton avokati Asdren Hoxha.

“Konsideroj se vendimi nuk është i drejtë për shumë arsye. Së pari është ngarkuar për vepër penale të cilësuar më të rëndë, atë të vrasjes në tentativë me arsyetimin se kinse motiv është hakmarrja, gjë që nuk qëndron pasi që i mbrojturi im vetëm ka kërkuar ndihmë nga ish-miqtë e tij për ta ndihmuar në raportet familjare lidhur me ish-gruan e tij dhe është sulmuar dhe ka vepruar nën afekt”, tha Hoxha.

Avokati tha se nuk është argumentuar pretendimi  i Prokurorisë sepse i dëmtuari nuk është plagosur në pjesët vitale për t’ia rrezikuar jetën.

Kundërshtime Hoxha pati edhe lidhur me rrethanat e caktimit të paraburgimit pasi që tha se ato nuk janë përmbushur siç kërkon ligji.

“I mbrojturi im nuk ka ikur, ai është vetëdorëzuar dhe gjithashtu e ka dorëzuar edhe armën dhe meqenëse ka vepruar nën afekt nuk ka bazë të besohet se mund të përsërit veprën”, tha Hoxha.

Avokati paralajmëroi se do të ankohet në Gjykatën e Apelit.