Behgjet Pacolli | Foto: Facebook

Pacolli: Nxitja e Urrejtjes, Arsyeja Pse Vulin e Gjuriq Nuk u Lejuan të Hyjnë në Kosovë

Ministri i Jashtëm, Behxhet Pacolli ka thënë se përfaqësuesve të qeverisë serbe, Aleksandar Vulin dhe Marko Gjuriq, u është ndaluar hyrja në Kosovës për shkak të nxitjes së urrejtjes.

“z. Vulin është ministër i mbrojtjes në Serbi. Ne nuk kemi asnjë problem me mbrojtjen tonë, ai ka problem atje. Ne e kemi KFOR-in. Nuk ka asnjë arsye që Vulin të vijë në Kosovë dhe të propagandojë e të nxisë urrejtje”, ka thënë Pacolli.

Këto komente ai i ka bërë në konferencën për media, pas takimit me homologen e tij austriake, Karin Kneiss.

Pacolli ka thënë se sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel, çdo ardhje e personaliteteve serbe në Kosovë duhet t’i nënshtrohet një informate paraprake dhe një leje, duke shtuar mysafirët që vijnë, Kosova kujdeset për sigurinë e tyre.

“Të gjitha personalitetet janë të detyruara t’i drejtohen Kosovës 72 orë para se vizita të ndodhë dhe Kosova ka të drejtë që të lejojë, ose nëse ka arsye ta ndalojë vizitën”.

Madje ai ka thënë se personalisht i është refuzuar një kërkesë të shkojë në Beograd.

Ndërsa sa i përket Marko Gjuriqit, ai ka thënë se i është kërkuar të mos nxisë urrejtje.

“Edhe në të kaluarën ka nxitë urrejtje, ka nxitë pakënaqësi te popullata shqiptare duke thënë se ai vjen në Kosovë kurdo që ai dëshiron. Ne i kemi thënë se duhet të respektohen rregullat. Nuk kemi mundur ta lejojmë të hyjë sot dhe kemi kërkuar nga ai të mos nxitë urrejtje”, ka deklaruar Pacolli.

Shefi i diplomacisë kosovare ka thënë se ata duhet t’i bëjnë kërkesat, dhe Kosova do t’u përgjigjet atyre sipas marrëveshjes së arritur.

Më pas Pacolli ka kërkuar ndihmën e Austrisë për anëtarësimin e Kosovës në Interpol.

“Kosova ka aplikuar për anëtarësim të Kosovës në samitin e Dubait në INTERPOL dhe kërkojmë që Austria të na ndihmojë për anëtarësim”, tha ai në konferencën për media.

Ndërsa shefja e diplomacisë austriake, Karin Kneissl tha se ratifikimi i demarkacionit është një hap qenësor në drejtim të liberalizimit të vizave, por përmendi edhe kushtin tjetër.

“E di që pritjet janë të mëdha ndër qytetarët, por përveç demarkacionit duhet të ketë progres edhe në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizua”, tha ajo.

Ajo shtoi se “Austria ju mbështet që edhe shtetet e rajonit të afrohen me BE-në, por secili shtet sipas meritave dhe progresit të vet”.

Kneissl tha se në BE ka shtete që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

“Kjo është një nga temat që shfaqet çdoherë në Komisionin Europian. Kompleksiteti i temës ekziston”.

Ndërsa Pacolli tha se veprimet e Serbisë për tërheqjen e njohjeve janë veprime që nuk janë në frymën e dialogut që po zhvillohet me Serbinë.