Komisioni për Buxhet dhe Financa - Foto: KALLXO.com

Osmani: Shpërblimet e të Punësuarve në Trust Sa një Pagë e Tyre

Në Komisionin për Buxhet dhe Financa u diskutua në lidhje me bonuset e të punësuarve në Fondin e Kursimeve Pensionale

Në rast të performancës së mirë të Fondit të Kursimeve Pensionale (FKP) gjatë vitit të punësuarve bordi mund t’u ndajë shpërblim deri në nivelin pagës që marrin.

Në Komisioni për Buxhet dhe Financa ku po diskutohej për pagat në Fondin e Kursimeve Pensionale u ngrit edhe çështja e shpërblimeve për të punësuarit e këtij institucioni.

Deputetja Safete Hadërgjonaj kërkoi sqarime nga deputeti Naser Osmani sa u përket bonuseve për të punësuarit në këtë fond.

“Çfarë bonusesh paska pasë dhe kompensimesh të cilat ua kanë paguar të punësuarve tjerë. Ne jemi mësu me këto bonuse të cilat u paguhen bordeve, po rrallë nëpër ndonjë institucione kemi kompensime të cilat u paguhen edhe të punësuarve“, tha Hadërgjonaj.

Për çështjen e bonusit, deputeti Naser Osmani tha se kjo çështje është e rregulluar me rregulloren e Fondit të Kursimeve Pensionale.

“Me rregullore Trusti ka paraparë që nëse ka një performancë të mirë gjatë vitit atëherë me një vendim të bordit mund t’u ndahet edhe një lloj shpërblimi deri në nivelin maksimal të një page që e kanë. Nga ana tjetër trusti gjithmonë ka përformancë pozitive sepse bën plasmanin e mjeteve, nënkuptohet që kamata në plasman gjithmonë ka rritje”, tha Osmani.

Më pas Safete Hadërgjonaj tha se për dallim nga Fondi i Kursimeve Pensionale, ka shumë institucione në të cilat punëtorët nuk e marrin pagën që e meritojnë.

“Kemi vërejtje shumë, për shembull në institucione tjera të punësuarit ka që punojnë edhe ka dy puna, kanë përgatitje të lartë dhe nuk e kanë pagën të cilën faktikisht e meritojnë, e këtu paskan pas kompensime dhe bonuse“, tha Hadërgjonaj.

Por deputeti Naser Osmani deklaroi se Komisioni për Buxhet dhe Financa i ka rekomanduar Fondit të Kursimeve Pensionale të heqë bonuset.

Komisioni i ka rekomanduar fondit edhe zvogëlimin e pagave të zyrtarëve të lartë të tij për 25 për qind.