OSBE Promovon Përfshirjen e Romëve, Ashkalive e Egjiptasve në Policinë e Kosovës

Është përmbyllur sot në Vushtrri punëtoria treditore orientuese për 60 të rinj rom, ashkali dhe egjiptas e cila kishte për qëllim njoftimin e tyre me punën e policisë dhe përfitimet e të qenit pjesë e policisë.

Kjo punëtori është organizuar nga Misioni i OSBE-së, Akademia e Kosovës për Siguri Publike dhe Policia e Kosovës.

Sipas një njoftimi për medie, punëtoria i paraprin shpalljes së konkursit për oficerë të rinj që pritet muajt e ardhshëm dhe ka pasur për synim inkurajimin e pjesëtarëve të këtyre komuniteteve t’i bashkohen policisë.

“Përkundër mekanizmave të ndryshëm për promovim të mundësive të barabarta në legjislacionin e policisë, përfshirja e romëve, ashkalive dhe egjiptianëve mbetet sfidë”, tha Shpresa Muharremi nga Misioni i OSBE-së.

Ajo u shpreh se duan të shohin më shumë pjesëtarë të komuniteteve në uniforma të policisë, pasi që kjo do ta bënte policinë një forcë më diverse dhe do ta rriste besimin e komunitetit në polici.

Këta pjesëmarrës që ishin nga mosha 18 deri në 30 vjeç mësuan për kriteret e përzgjedhjes për t’u bërë oficer policie, për testet që duhet t’iu nënshtrohen si testi me shkrim, fizik e psikologjik dhe morën pjesë në intervista të simuluara për punë, thuhet në komunikatën e Misionit të OSBE-së në Kosovë.