OSBE Përkrah Komunat në Bashkëpunimin mes Komuniteteve

Të përkrahura nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, komunat e rajonit të Prishtinës nënshkruan sot një deklaratë që ka për qëllim avancimin e dialogut dhe bashkëpunimit mes komuniteteve.

Shefi i Misionit të OSBE-së, ambasadori Jean-Claude Schlumberger tha se hapa të tillë janë marrë më herët edhe nga komuna të tjera, sikur Kamenica, Gjilani, Novëbërda  dhe Rranillugu, e vitin e kaluar shembulli i tyre u ndoq edhe nga Ferizaji, Shtërpca dhe Kllokoti.

“Gjatë këtij viti OSBE planifikon të mbështesë një kamp në bashkësi në rajonin e Prishtinës dhe do të ftojë djem të rinj dhe vajza të reja nga të gjitha komunat me anëtarët e grupeve që të identifikojnë dhe të propozojnë ide të reja për t’u bashkuar në projekt”, tha Schlumberger.

Sipas tij, këto deklarata kanë rezultuar me pjesëmarje rinore në proceset vendimmarrëse në komunat e përfshira në projekte.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha ndërkaq se ajo që bëhet në komuna të tjera ka rëndësi edhe për komunën që ai e drejton, prandaj duhet bashkëpunim.
“Unë kam bërë ftesë disa herë por edhe sot bëj ftesë që në tregun e prodhimeve vendore të kemi shitës nga të gjitha komunat, posaçërisht me rëndësi e kam që fermerët e Graçanicës të kenë mundësi të shesin në tregjet e Prishtinës dhe këtë mundësi ua kemi ofru dhe vazhdojmë t’ua ofrojmë sepse mendojmë që integrimi i vërtetë i komuniteteve ndodhë kur ka interes të përbashkët. Në këtë rast mendoj se është edhe interes i fermerëve edhe i blerëvsve të Prsihtinës që të kenë sa më shumë prodhime vendore”, tha kryetari i Komunës së Prishtinës.
Ahmeti tha se zotohet për bashkëpunim me të gjitha këto komuna tjera dhe se duhet të ketë pranueshmëri dhe barazi për të përmirësuar ndërveprimin ndërmjet regjioneve në rajonin e Prishtinës
Ndërsa, kryetari i Komunës së Graçanicës, Vadeta Kostiq, tha se me komunikim dhe punë të përbashkët e me të rinj të shkolluar dhe me kahje evropiane do të krijohen raporte të mira.

Kostiq tha se si kryetar i Komunës së Graçanicës ka raporte të mira me kryetarët e komunave të tjera.

Komunat e përfshira në këtë aktivitet ishin Graçanica, Shtimja, Lipjani, Fushë-Kosova, Obiliqi dhe Prishtina. Të pranishëm ishin të gjithë kryetarët e këtyre komunave.

Të gjithë kryetarët u zotuan për bashkëpunim ndërmjet komuniteteve që të rrisin ndërveprimin përmes zbatimit të projekteve dhe aktiviteteve të përbashkëta.