Nuk ka kuorum as për propozim rezolutën për Raportin e Progresit

Me 41 vota për dhe 7 kundër nuk është votuar Propozim-Rezolutës nga debati parlamentar në lidhje me Raportin e Progresit për Republikën e Kosovës. Kjo pasi që nuk ka vota të mjaftueshme për të votuar këtë propozim.

Në Seancën e Kuvendit të Kosovës u diskutua për Rezolutën nga debati parlamentar në lidhje me Raportin e Progresit për Republikën e Kosovës.

Gjatë këtij debati pati edhe polemika mes deputetëve të kuvendit.

Deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje Fitore Pacolli tha se pas debatit të mbajtur me 20 prill për raportin për vendin, Lëvizja Vetëvendosje kishte propozuar disa rekomandime në harmonizim me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Pasi grupet e tjera kërkuan harmonizim ftuam të gjitha grupet në takim dhe nuk arritëm të pajtohemi, këto rekomandime janë në koordinim të plotë me VV, LDK, PSD” tha Pacolli.

Rakomandimet e propozuara nga deputetja Pacolli i ka kundërshtuar deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i cili e ka akuzuar Pacollin për manipulim.

“ Fitore Pacolli manipuloj sepse tha që nuk e kemi arritur harmonizimin. Harmonizimi është arritur dje por mashtrimi është bërë më vonë, pasi që janë pajtuar përfaqësuesit e të gjitha grupeve parlamentare për disa prej këtyre pikave këta në mënyrë të njëanshme kanë ardhur dhe janë munduar të imponojnë këtë rezolutë” tha Krasniqi.

Krasniqi këtë rezolutë e ka cilësuar si fontanë dëshirash.

“ Kjo nuk është rezolutë kjo është fontanë dëshirash, këtu flitet për 10 fusha të ndryshme , dhe nuk ka qëllim për harmonizim, kështu që ne jemi kundër sepse nuk është rezolutë e cila i adreson problemet për të cilat kemi diskutuar” tha Krasniqi.

Ndërsa deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj tha se teksti i kësaj rezolutë i cili është lexuar dje kishte 11 pika, ndërsa sot ka 13 pika.

“ Unë besoj që Lëvizja Vetëvendosje  po duket që nuk e ka qëllimin që të kërkoj konsensusin e partive  politike që kjo rezolutë të kaloj. Kërkoj prej kolegëve të LDK-së ,Nisma  dhe 6+ të mos marrin pjesë në votim sepse nuk është projekt i përbashkë” tha Nitaj.