Ndertesa e qeverisë, Prishtinë | Foto: Atdhe Mulla

Ngërçi Politik po e Bën Joserioz Shtetin

Analistët politikë numërojnë kur flasin për RTV 21 pengesat me të cilat po përballet Kosova nga moskrijimi i institucioneve të dala nga vota e 11 qershorit.

Njohësja e integrimeve europiane Donika Emini tha për RTV 21 se pasojat diplomatike janë jashtëzakonisht të mëdha për Kosovën nga ngërçi politik.

“Diplomacia serbe ka qenë mjaft e egër kundrejt INTERPOL-it dhe kundrejt UNESCO-s”, tha Emini.

Kosova ka paralajmëruar se në fund të shtatorit do të votohet për pranimin e saj në organizatën ndërkombëtare të policisë, ndërsa Serbia është zotuar se do ta pengojë këtë gjë.

Analisti politik Ramush Tahiri mendon se Kosova nga ngërçi po paraqitet si shtet joserioz.

“Mosmundësia ose mosaftësia e krijimit të qeverisë nuk gëzon respekt ndërkombëtar, sepse partnerët ndërkombëtarë dëshirojnë ni seriozitet”, tha Tahiri.

Ministria e Punëve të Jashtme ia tha RTV 21 të kundërtën e fjalëve të analistëve.

“Moskrijimi i institucioneve nuk e pengon Kosovën në proceset integruese e as në rrafshin diplomatik”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Kosova ende nuk i ka krijuar institucionet, edhe pse zgjedhjet janë mbajtur para më shumë se dy muajsh.