Interesat e partnerëve të koalicionit, e mbajnë qeverinë nën presionin e zgjedhjeve

Koalicioni qeveritar i cili ka zgjedhur Avdullah Hotin në krye të qeverisë së Kosovës, ka pasur tensione të vazhdueshme për çështje të ndryshme, siç janë pozita e presidentit, marrëveshjet në Uashington, kundërshtimi i AAK-së për mungesën e përfaqësuesve nga partia e tij në Bruksel, autostrada e “Dukagjinit”, etj.

Këto mospajtime kanë ngjallur reagime të shumta nëse ky koalicion është stabil dhe nëse do të mund të funksionojë edhe më tutje kjo qeveri.

Së fundi, presioni i radhës ka ardhur nga zëvendëskryeministri i Kosovës nga radhët e AAK-së Besnik Tahiri, i cili në një debat televiziv i kishte dhënë ultimatum publik qeverisë së udhëhequr nga Hoti, që brenda dy jave t’i sigurojnë votat për ta votuar Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.

Në të kundërtën Tahiri kishte thënë se duhet lëshuar rrugë.

Sipas tij kjo po ndodh shkaku i pandemisë pasi po mungojnë edhe deputetët në seancë për ta bërë kuorumin.

“Këtë çështje duhet shpejtë me zgjidh se kështu nuk shkohet. Secili interes politik partiak apo i qeverisë duhet të ketë reflektim më serioz me vendin dhe përgjegjësitë që i ka”, kishte thënë Tahiri.

Sipas tij nëse nuk arrihet kuorumi për t`u votuar Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike e disa ligje të tjera humbë arsyeja që të vazhdohet tutje me këtë qeveri.

“Nëse nuk i përfundojmë dy – tri punë shpejtë, rimëkëmbjen ekonomike, buxhetin dhe dy tri ligje që janë të rëndësishme atëherë i hup shumë arsyeja me vazhdu sepse kur nuk e ke shumicën nuk mund me vazhdu veç pse nuk mundet me të rrëzu dikush. Ka nevojë për një reflektim serioz”, shtoi Tahiri.

Zëvendëskryeministri Tahiri tha se dy javë i kanë dhënë afat qeverisë që t’i sigurojë votat për Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.

“Dy javë. Për dy javë ne duhet me përfundu edhe rimëkëmbjen edhe buxhetin”, tha ai.

Analistët mendojnë që mospajtimet e këtij koalicioni qeveritar kanë qenë të pritshme dhe se nuk ka mundur të funksionoj si qeveri normale.

Artan Muhaxhiri, ka thënë për Kallxo.com se kjo qeveri nuk ka pasur mundësi që t’i koordinojë dhe harmonizojë planet, e projektet me fokus të veçantë agjendat qeveritare.

Sipas Muhaxhirit në këtë qeveri janë paraqitur shumë improvizime pasi kanë qenë të imponuara.

Sa i përket deklaratës së Tahirit, për ultimatumin publik ndaj qeverisë, Muhaxhiri thotë se më mirë do të duhej që AAK-ja të angazhohet më shumë në sigurimin e mbështetjes parlamentare për këto ligje sesa të prezantoj kërkesa publike.

“Ky qëndrim do të ishte mirë të prezantohet në qeveri sepse nuk ka logjikë që një koalicion ta kushtëzoj publikisht qeverinë ndërkohë që ka nevojë të jashtëzakonshme të koordinohen në gjetjen e mundësive për ta kaluar Ligjin për Rimëkëmbje, për t’i siguruar votat në Kuvend. Zoti Tahiri do të duhej që të angazhohej më shumë në sigurimin e mbështetjes parlamentare për këto ligje sesa të prezantoj kërkesa publike”, tha Muhaxhiri.

Muhaxhiri shtoi se nëse qeveria nuk arrin ta siguroj as mbështetjen minimale në Kuvend, gjëja më e logjikshme është shkuarja në zgjedhjet e reja.

“Edhe kryeministri Hoti do të duhej të kishte moral politik dhe ta pranonte se nëse nuk ka asnjë mundësi tjetër për sigurimin e një mbështetje prej 61 votave në Kuvend atë herë të shkojmë në zgjedhe të reja”, përfundoi Muhaxhiri.

Ndërsa, analisti Belul Beqaj, për Kallxo.com ka thënë se mospajtimet e partnereve te koalicionit derisa i nënshtrohen interesave të ndërsjella nuk janë shumë të rëndësishme sa është pajtimi siç ishte rasti i Autostradës së Dukagjinit e cila i kushton buxhetit rreth një miliradë euro.

“Çdo vlerësim objektiv mospajtimet e partnerëve të koalicionit i kupton si të natyrshme, ngase dihet mirëfilli motivi kleptokratik pse është krijuar. E panatyrshme është se si fjala, bie, LDK-ja qe ishte kundër autostradës së Dukagjinit u pajtua me kushtëzimin e AAK-se, që ajo të përfshihet në buxhet”, shtoi Beqaj.

Beqaj tha se ky koalicion realisht nuk ka asnjë disponim për zgjedhje dhe sipas tij koalicioni ka frikë nga zgjedhjet.

Sa i përket ultimatumit të zëvendëskryeministrit Tahiri, Beqaj tha se deklarata e tij vjen nga mos koordinimi i brendshëm.

“Ky koalicion realisht nuk ka asnjë disponim për zgjedhje. Përkundrazi, ata kanë frikë nga zgjedhjet, deklarata e tillë është reflektim i mos koordinimit të brendshëm ose qëndrim i ndërgjegjes individuale”, përfundoi Beqaj.

Historiku i mosmarrëveshjeve të koalicionit qeveritar LDK – AAK

Marrëveshjet e Uashingtonit mbi dialogun Kosovë – Serbi kishin rezultuar me tensione brenda koalicionit qeverisës të Kosovës.

Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj, kishte mospajtime rreth ndryshime tek pika që kishte të bënte me Liqenin e Ujmanit.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – që është pantere e koalicionit qeverisës – nuk është e gatshme për bashkëpunim as në qeverisje e as në çfarëdo forme, sepse ne nuk do të ndihmojmë një marrëveshje, ku Serbia qoftë edhe indirekt bëhet palë në resurset e Kosovës”, kishte shkruar ai.

Ndërsa, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ kishte thënë se pika për Ujmanin në marrëveshjen e nënshkruar nuk u ndryshua, ndërsa ka treguar për bisedimet që ka pasur me Haradinajn për këtë pikë.

Sipas tij, Haradinaj kishte kërkuar që teksti që është nënshkruar, të mos nënshkruhet si marrëveshje me Serbinë, por vetëm me ShBA-të, ose që në marrëveshje të mos përmendet Ujmani, por vetëm fizibiliteti për ujërat.

Po në të njëjtën ditë, Haradinaj kishte shkruar edhe një shkrim në rrjetin social Facebook, duke e përshëndetur marrëveshjen e arritur në Uashington.

“E përshëndes Marrëveshjen e nënshkruar sot në Shtëpinë e Bardhë! Miqtë e vërtetë gjithmonë e kuptojnë shqetësimin e drejtë. I lumtur që shqetësimet tona në pikën kontestuese për Ujmanin, kanë reflektuar në Marrëveshjen e nënshkruar”, tha ai.

Në pikat e marrëveshjes së nënshkruar në Uashington thuhej se të dyja palët janë pajtuar për një studim fizibiliteti për Liqenin e Ujmanit.

“Të dyja palët do të pajtohen të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë dhe subjektet e tjera të Qeverisë amerikane në një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Gazivodës/Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë”, thuhet në marrëveshje.

Mosmarrëveshja tjetër kishte të bënte me mungesën e përfaqësuesve nga AAK-ja në negociatat Kosovë – Serbi në Bruksel.

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, kishte kritikuar shefin e qeverisë Avdullah Hoti, për mos përfshirjen e ministrit të Drejtësisë, Selim Selimin, nga radhët e AAK-së, në dialogun me Serbinë.

Haradinaj kishte thënë se i japin përkrahje të fuqishme kryeministrit, delegacionit të Kosovës, që në këtë rast sipas tij duhet të jetë i kompletuar dhe se nuk duhet të bëhen eksperimente në këto raste.

“Gjatë kohës së qeverisjes sime e kemi pasur një grup të ekspertëve edhe ndihmesë prej aleatëve tanë, por edhe njerëz të vendit, në këtë rast (ministri aktual i Drejtësisë, Selim) Selimi – se mund të mendohet se kam ndonjë qëllim të caktuar se pse insistoj që ai duhet të jetë aty. Ai nuk është vetëm i AAK-së, është i Kosovës, është memoria e tri vjetëve të fundit në dialog”, kishte thënë haradinaj.

Ndërkohë, AAK-ja kishte përkrahur publikisht liderin Haradinajn si kandidat për presidentin e ardhshëm të Kosovës

Në një mbledhje të strukturave të larta të saj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka shpallur kandidaturën e kryetarit të saj, Ramush Haradinaj, për president të Kosovës.

Por, deri tani Haradinaj nuk i ka mbledhur nënshkrimet e deputetëve për ta zyrtarizuar kandidaturën.

Polemika e mospajtime kishte pasur edhe në rastin e Autostradës së Dukagjinit.

Kabineti qeveritar i udhëhequr nga Avdullah Hoti e ka futur në buxhet për vitin 2021 projektimin e Autostradës së Dukagjinit, për të cilën kishin shprehur kundërshtime para dhe pas zgjedhjeve të tetorit.

Por, kjo autostradë në tetor vitin 2019, është kritikuar nga vet Avdullah Hoti.

Hoti, kishte thënë se projekti për ndërtimin e autostradës së Dukagjinit është i panevojshëm dhe nuk do të realizohet nga qeveria e ardhshme LDK dhe LVV.

“Është komplet i panevojshëm. Është një projekt që nuk do te realizohet nga qeveria e ardhshme. Ne e kemi të qartë çfarë duhet të bëjmë sa i përket atij projekti. Nuk e kemi komoditetin e as s’është e nevojshme që të ndërtojmë autostradë në ato toka bujqësore. Çka do të bëjmë ne është se nga Istogu, Pejë, Deçan, Gjakovë dhe deri në Prizren do të zgjerohet komplet rruga ekzistuese, do të bëhen rrugë me katër shirita, jo rrugë e izoluar, në magjistralen ekzistuese në mënyrë që mos të shpenzojmë qindra miliona në shpronësime të tokave dhe ai korridor nga Peja deri në Prizren, por në veçanti nga Gjakova deri në Prizren të jetë një korridor që zhvillohen komplet bizneset, një tip zone ekonomike”, kishte thënë Hoti më 30 tetor 2019.

Sa ishte në qeverisje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kishte nisur projektin për ndërtimin e kësaj Autostrade që kalonte nëpër regjionin e ‘Dukagjinit’.

Kallxo.com ka shkruar për historikun e kësaj autostrade.

Tema e shtruar së fundi nga njerëz të AAK-së është Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike.

Besnik Tahiri zëvendëskryeministër i Kosovës tha se çështja e këtij ligji duhet të mbyllet brenda dy jave.

Kuvendi i Kosovës në tetor të këtij viti me 64 vota për asnjë kundër dhe asnjë abstenim e ka votuar në parim i Projektligjin për rimëkëmbjen ekonomike – COVID – 19 pas gjashtë tentimeve për të kaluar ky projektligj.

Por, me 11 nëntor Kuvendi ka tentuar të mbajë seancë të jashtëzakonshme për të votuar në lexim këtë projektligj i cili nuk kishte arritur të ketë kuorumin as për ta filluar seancën.

Ende pa filluar seanca e jashtëzakonshme e thirrur për Shqyrtimin e dytë të Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike – COVID-19, ishte mbyllur nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani shkaku i mungesës së kuorumit.

Ndryshe, koalicioni qeveritar i Kosovës, ka dështuar të jetë vendimmarrës në Kuvend, pasi gati në të gjitha seancat plenare, nuk po arrijnë që t’i grumbullojnë të gjithë deputetët që votuan për formimin e qeverisë.

Kallxo.com ka shkruar se në mungesë të deputetëve pozitarë, në këtë sesion vjeshtor Kuvendi nuk ka miratuar asnjë ligj, në përjashtim marrëveshjeve ndërkombëtare.