Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj

Nga Obiliqi, Haradinaj kërkon nga KEK 'të mos i harrojë obligimet' për punësimet

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, sot mori pjesë në përurimin e Shtëpisë së Kulturës që mban emrin e heroit “ Xhavit Haziri” në Komunën e Obiliqit.

Haradinaj në këtë takim deklaroi se sot janë bashkuar për shumë gëzime.

“I kemi biseduar shumë punë që e presin Obiliqin, për të cilat po punojmë. Shumë prej këtyre punëve që dukeshin të largëta ose edhe gati të parealizueshme, sot e kanë parë dritën falë vendosmërisë së kryetarit Xhafer Gashi”, ka thënë kryeministri.

I pari i qeverisë tutje ka thënë se janë duke ecur përpara me projektet infrastrukturore dhe ato të ujërave të zeza, mirëpo sipas tij, punësimi është kryesorja.

“Shfrytëzoj rastin që t’iu bëj thirrje udhëheqësve të KEK-ut, që në përputhje me ligjin të mos i harrojmë obligimet që i ka marrë Qeveria e vendit ndaj këtyre banorëve. Ne kishim nevojë për mirëkuptimin e tyre dhe dakordim për gërmim dhe prodhim të energjisë dhe këta banorë e respektuan këtë Qeveri dhe mua. Kemi ngritur tema të interesit nacional që do t’i çojmë përpara mirëpo ashtu si heronjtë tanë ashtu si Xhaviti (Haziri) dhe të tjerë që kanë rënë për liri e kanë ditur se dikush do ta vazhdojë rrugën e  tyre”, tha Haradinaj.

Haradinaj foli edhe për dialogun Kosovë – Serbi duke theksuar se ka mbetur të zgjidhet se çfarë marrëdhënie do të kemi me shtetin fqinj, duke shtuar se kjo po bëhet për të ecur përpara, në mënyrë që koha jonë të jetë e përqendruar tek punësimi.

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka thënë se kjo Shtëpi e Kulturës, nënkupton mundësi për të gjithë ata që e duan kulturën, këngën, vallen e teatrin.

“Urime qytetarë, ta nderojmë dhe ta mbajmë në zemër heroin tonë kombëtar Xhavit Haziri”, tha ai pas inaugurimit të Shtëpisë së Kulturës.

Mes tjerash, kryeministri Haradinaj, ka bërë edhe homazhe te pllaka e dëshmorëve të komunës së Obiliqit, ngjarje kjo e cila ishte organizuar në shënim të 20 vjetorit të Çlirimit të kësaj komune.