Përurimi i repartit të pediatrisë në Spitalin e Përgjithshëm "Dr. Sami Haxhibeqiri" në Mitrovicë. Foto: Florinda Kelmendi/KALLXO.com
Kurti shkon në Mitrovicë por Bedri Hamza nuk shihet aty, thotë se nuk e ftuan
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti së bashku me ministrin e tij të Shëndetësisë, Arben Vitia morën rrugën sot për në Mitrovicë të Jugut dhe përuruarn Repartin e Pediatrisë në Spitalin e këtij qyteti.
Në këtë ngjarje, mungoi kryetari i Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza i cili së fundi u zyrtarizua si kandidat i PDK-së, për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Në një bisedë të shkurt për KALLXO.com, Bedri Hamza ka konfirmuar se ai nuk ka qenë i ftuar.
“Nuk kam marrë pjesë sepse nuk më kanë ftuar”- tha Hamza për KALLXO.com.
E i lumtur për funksionalizimin e këtij reparti u shpreh kryeministri Kurti.
“Investimi është rreth 1 milion euro. Janë 11 dhoma me 25 shtretër dhe njëra prej dhomave do të jetë me intenzivë” – tha Kurti pas përurimit..
Laura Nushi, Ushtruese e Detyrës së Drejtoreshës së Spitalit tha se përfundoi zvarritja prej tetë vitesh e funksionalizimit të këtij reparti.
“Do iu premtojmë se shërbimet për fëmijët e qytetit të Mitrovicës do të jenë shumë më cilësore dhe do të jemi shumë më të angazhuar dhe përkushtuar që t’u ofrojmë ndihmën tonë. Mitrovica si pikë strategjike që është në Kosovë, ka nevojë për ndihmën e qeverisë. ”- tha mes tjerash doktoresha Nushi.
Dhjetor apo janar, tek në prill përurohet Reparti i Pediatrisë
KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për zvarritjen e funksionalizimit të këtij reparti.
Më datë 22.01.2024, ekipi i KALLXO.com ishte në vendin e ngjarjes për të parë nëse ky repart është funksional, mirëpo në të njëjtin ende nuk kishin filluar të ofrohen shërbime mjekësore.
Laura Nushi, u.d e drejtoreshës në Spitalin e Mitrovicës pati thënë se Reparti i Pediatrisë pritet që të funksionalizohet në fund të muajit janar.
“Kushtet atmosferike e kanë ngadalësuar ritmin e punës sepse nuk ka pasë pengesa të tjera, pengesa administrative ose pengesa të punëkryesit. Punimet praktikisht janë kryer. Reparti pritet të funksionalizohet më datë 30, 31 janar. Ministria e Shëndetësisë afatin kohor e kanë dhënë më 18 dhjetor, mirëpo vetëm kushtet atmosferike janë pengesë pse nuk janë kry deri tash”- kishte thënë Nushi më 21.01.2024.
Reparti i Pediatrisë në Spitalin e Mitrovicës ende jashtë funksionit