Pamje nga debati "Për një gjyqësor me integritet" - Foto: Facebook

Nga Gjyqësori Kërkohet më Shumë Transparencë

Çështja e integritetit të gjyqësorit të Kosovës është trajtuar në një debat të organizuar sot në kuadër të fushatës së informimit publik për Nismën e Integritetit Publik.

Drejtor i misionit të USAID-it në Kosovë, James Hope, tha se ky takim është një hap i mirë drejt integritetit dhe kjo na inkurajon të jemi sa më transparent dhe më llogaridhënës.

“Transparenca shpesh pason pas një angazhimi të tillë, dhe kur kjo transparencë zbatohet atëherë kështu krijohet dhe rritet edhe besimi i qytetarit në gjyqësor”, tha Hope.

Në debatin për transparencën e gjyqësorit u shtrua një çështje e freskët e mungesës së transparencës nga ky institucion.

Labinot Leposhtica nga BIRN dhe anëtarë të tjerë të shoqërisë civile kërkuan shpjegim në këtë debat nga gjyqtarët dhe kryetari i Gjykatës Themelore se pse seanca e ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj, dhe seanca e rastit “Stenta”, sot u mbajt e mbyllur duke mos lejuar prezencën e mediave brenda sallës së gjykimit me arsyetimin se nuk ka hapësirë fizike, e kjo arsye nuk parashihet askund me Kodin e Procedurës Penale.

http://kallxo.com/mbyllet-per-mediat-gjykimi-ne-rastin-stenta/

Me këtë rast, kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi, tha se i vjen keq për këtë që ka ndodhur dhe se ai ka adresuar një kërkesë te gjyqtari i rastit të “Stentave” për çështjen e lejmit të mediave, të cilat nuk duhet të largohen nga salla pasi një vendim i tillë nuk është në pajtim me Marrëveshjen për Transparencë të Gjyqësorit në Kosovë.

Ndërsa për rastin e Salih Mekajt ai tha se duhet të rishikohen arsyet pse duhet të mbyllet për publikun kjo seancë.

“Vendimi për mbylljen e seancës së Salih Mekajt në tërësi duhet të rishikohet jo pse gjyqtari duhet të më dëgjojë mua dhe ta marrë si urdhër, por duhet të vlerësojë cila është ajo fazë që duhet të mbyllet sipas Kodit të Procedurës Penale dhe ku duhet të hapet për publikun”, tha Ibrahimi.

 

http://kallxo.com/vazhdon-mbyllur-gjykimi-salih-mekajt/

Ai tha se kjo seancë do të jetë e qasshme për publikun aq sa Kodi i Procedurës Penale e lejon, por se ai rast ka disa momente kur detyrimisht duhet të jetë e mbyllur seanca.

Në këtë debat gjithashtu u shtruan e u krahasuan edhe çështje të tjera ku ligji nuk punon në mënyrë të barabartë si për personat zyrtarë ashtu edhe për shoqërinë civile.

Në mesin e tyre pati edhe rekomandime për rritjen e dënimit të rasteve të korrupsionit.

Tryeza ”Për një Gjyqësor me Integritet” hyn në vargun e takimeve që po bëhen në shumicën e komunave të Kosovës.

Redaktoi: Naser Sertolli