Universiteti i Prizrenit - Foto: Kallxo.com

Në Universitetin e Prizrenit Mbahen Zgjedhjet Studentore

Në Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti” sot po mbahen zgjedhjet studentore, në të cilat garojnë tri organizata: Alternativa Studentore, Unioni i Studentëve Shqiptarë dhe Unioni Studentor “Ukshin Hoti”.

Ramadan Baraliu, zëdhënës i Universitetit, tha se të gjitha përgatitjet janë bërë dhe procesi ka shkuar në mënyrë të rregullt.

“Komisioni zgjedhor për organizimin e zgjedhjeve në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, i ka bë të gjitha përgatitjet që procesi të shkojë më së miri. Sot në orën 8:00 janë hapur të gjitha vendvotimet dhe deri më tash asnjë parregullsi nuk është evidentuar”, theksoi ai.

Mirëpo, Organizata Pro-Evropiane është duke i kundërshtuar zgjedhjet dhe thotë se padrejtësisht është përjashtuar nga procesi zgjedhor.

Por, zëdhënësi i Universitetit e tregon arsyen e përjashtimit të kësaj organizate. Sipas Baraliut janë parregullsitë e brendshme, konkretisht mossjellja e listës së unifikuar, ajo që ka shtyrë organizatorët të përjashtojnë këtë organizatë studentore.

“Jemi detyruar për shkak të parregullsive të brendshme që ka pasur një organizatë studentore ta eliminojmë nga gara. Ndërrimi i strukturave të shpeshta të kësaj organizate, ndërrimi i përfaqësuesit të autorizuar, mossjellja e listave të unifikuara, kanë ndikuar drejtpërdrejt në proces dhe për këtë arsye edhe KQZ-ja është detyruar ta eliminojë nga gara”, tha ai.

Ndërsa, kryetarja e Organizatës Pro-Evropiane, Osalina Qollaku, e pranon se ka pasur probleme të brendshme, porse me kohë e ka ndërruar përfaqësuesin. Megjithatë, sipas saj, KQZ-ja nuk e ka marrë këtë parasysh.

“Arsyeja pse ne e kemi ndërruar përfaqësuesin është se përfaqësuesi që ka qenë më parë nuk është student, e ka hupë të drejtën e studimit, pasi është përsëritës. Ne e kemi ndryshuar atë vendim, e kemi ndërruar përfaqësuesin dhe e kemi sjell një përfaqësues tjetër të organizatës”, tha ajo.

Përfundimisht, kjo organizatë nuk është duke marrë pjesë në zgjedhje dhe premtoi se as nuk do ta pengojë procesin.