Pamje nga seanca e gjykimit të Ilir Tolajt dhe pesë zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë - Foto: KALLXO.com

Në gjykimin e Ilir Tolajt dëshmojnë një vozitës dhe një roje sigurimi

Në gjykimin e ish-sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolajt dhe pesë zyrtarëve të kësaj Ministrie, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, u dëgjuan dëshmitarët Ilmi Dragusha e Atdhedon Podvorica.

Dëshmitari Dragusha, i cili kishte qenë vozitës në kohën kur është bërë transportimi i barërave me afat të skaduar, deklaroi se gjatë marrjes në pyetje në Prokurori atij nga prokurori i janë përmendur disa telefonata për të cilat tha se sipas bindjes së tij nuk kanë qenë të rregullta pasi që nuk janë përshtatur.

Në lidhje me këtë hartografi të cilën ia ka paraqitur prokurori, për të cilën u pyet nga mbrojtësit e të akuzuarve, u përgjigj se nuk ka dhënë autorizim që të sigurohej me shkrim hartografia e numrit të tij të telefonit dhe se nuk ka qenë në dijeni se ka qenë nën masa të fshehta.

”Telefonatat nuk kanë qenë të rregullta sipas bindjes sime, nuk janë përputhur. Nuk janë përshtatur se ndoshta unë kam qenë tri herë në një vend e aty më ka figuruar vetëm një herë”, tha dëshmitari.

Dëshmitari tha se ai brenda ditës, dy apo tri herë ka bartur barëra dhe se kur kanë shkuar në depo aty ka qenë rojtari i cili ua ka hapur derën.

“Unë në Mazgit në depo kam shkuar dy apo tre herë brenda ditës, diku për rreth tre javë. Çdo herë na e ka hap depon rojtari dhe ndoshta gjatë ditës e kemi parë një herë apo dy duke kaluar rreth depos”, tha ai.

Në momentin e marrjes së sasisë së barërave që e ka transportuar tha se prezent ka qenë gjithmonë dikush nga Ministria e Shëndetësisë, “tri-katër gra dhe një shofer”.

Për rojtarin i cili ua ka hapur derën tha se shtëpinë e ka pasur aty afër dhe se vetëm në mëngjes ka ardhur t’ua hap derën dhe pastaj prapë ka shkuar në shtëpi.

“Rojtari e ka pasur shtëpinë afër dhe në mëngjes në shtatë apo tetë e ka hapë derën, ka shkuar në shtëpi të vet, në ndërkohë ka shku dhe ka ardhë”, tha dëshmitari Dragusha.

Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarës Florije Tahiri, avokatit Kujtim Kërveshi nëse kishte pasur rast që matja të mos ishte bërë në ditën e njëjtë kur është bërë edhe ngarkesa, dëshmitari u përgjigj se nuk e di.

Ndërsa për pyetjen se a ka pasur ndonjë rast kur paletat në kamion e kanë kaluar peshën prej 20 tonë, ai tha se kjo ka ndodhur shumë herë.

Dëshmitari u pyet edhe nëse kishte qenë në dijeni për materialin i cili ndodhej në kamion.

“Sa herë e keni bërë bartjen me barëra të skaduar a e keni parë gjithmonë me sy të juaj se çka ka brenda në kamion, a e keni parë çdo herë bartjen e juaj”, e pyeti avokati Kërveshi.

“Unë e kam bërë palimin por brenda në paleta nuk e di se çka ka pasë, asnjëherë s’e kam këqyr”, u përgjigj dëshmitari.

Kurse avokati Skender Musa, dëshmitarin e pyeti nëse në momentin kur ata kishin hyrë në depo të kishte qenë aty dikush i cili e kishte evidentuar hyrjen e tyre.

“A ju kujtohet kur keni hyrë brenda nëse ka shkruar dikush që po hyni ne objekt shtetëror”, gjë për të cilën dëshmitari u përgjigj me “nuk jam i sigurt”.

Në lidhje me tre zyrtaret të cilat deklaroi se kanë qenë të pranishme gjithmonë aty, tha se në bazë të asaj që ai ka parë, nuk ka vërejtur asnjë shkelje.

Për bartjen e barërave me afat të skaduar, ai tregoi se ka pasur marrëveshje gojore, në atë mënyrë që pagesa për një bartje ka qenë 60 euro.

“Marrëveshja ka qenë vetëm gojore, varësisht sa kamionë kemi dërguar duke u bazuar se vetëm për një kamion janë paguar vetëm 60 Euro”, tha dëshmitari Ilmi Dragusha.

Ndërsa dëshmitari tjetër Atdhedon Podvorica deklaroi se në depon e Mazgitit ka punuar në cilësi të rojës dhe se detyra e vetme e tij ka qenë që kur të vjen kamioni me barëra t’ua hapte derën.

“Aty kam qenë vetëm mbikëqyrës kur të vijnë këta të barërave me ua çel derën e oborrit ndërsa çelësin e derës së depos e kanë pasur ata djemtë që kanë pasur me i bartë barërat, ndërsa derën ua ka hapur një person me veturë “Golf 2”. Unë kam pasur me shënu kush hyn e kush del, gjithherë i kam mbajtur shënimet në fletore të cilën e kam mbajtur në kabinë afër depos”, tha dëshmitari Podvorica.

Në atë fletore ai tha se ka shënuar targat e kamionit që kishte shkuar aty, llojin e veturës/kamionit ndërsa për kohën se kur kishin hyrë këto automjete tha se herë e ka shënuar e herë jo sepse nuk e ka pasur për obligim. Por që shënimet i ka mbajtur për çdo ditë, për këdo që ka hyrë dhe ka dalë.

Për shkak të përfundimit të orarit të punës së gjykatës, dëshmia e këtij dëshmitari u ndërpre në gjysmë për të vazhduar kështu në seancën e radhës e cila do të mbahet më 3 maj.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.