Ilir Tolaj, FOTO ARKIV - KALLXO

Supremja kthen në Apel rastin e ish- Sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj

Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur që aktgjykimi ndaj ish- Sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj të kthehet për rivendosje në Gjykatën e Apelit.

Ish-Sekretari  Ilir Tolaj së bashku me zyrtarët e tjerë të kësaj minsitrie Zenel Kuqi, Bekim Fusha, Valentina Haxhiaj, Florije Tahiri e Remzije Thaqi  të akuzuar për veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare në vazhdim do të gjykohen sërish  nga gjykata e shkallës së dytë.

Apeli më 13 dhjetor 2019, kishte ndryshuar pjesërisht aktgjykimin lirues të gjykatës së shkallës së parë duke i dhënë dënim me burgim prej 3 vitesh Ilir Tolajt, Bekim Fushës 2 vite e 4 muaj, Zenel Kuqit dënim prej 2 vitesh e 8 muaj, ndërsa Valentina Haxhiaj, Florije Tahiri, Remzije Thaqi janë dënuar me kusht prej 6 mujash.

Ndërsa gjykata e shkallës së parë më 6 qershor 2018 kishte liruar të akuzuarit për shkak se sipas gjykatës vepra për të cilën akuzoheshin nuk përbën vepër penale.

Supremja rikthimin e lëndës në rigjykim e ka arsyetuar  se Gjykata e Apelit ka bërë shkelje esenciale të dispozitave procedurale pasi nuk ka arritur të arsyetojë zgjidhjen e çështjes penale.

Supremja ka gjetur se Apeli po ashtu nuk ka arritur ta vërtetojë ekzistimin e veprës penale dhe përgjegjësinë penale të të dënuarëve.

Gjithashtu Supremja ka konstatuar se në aktgjykimin dënues të Apelit mungon definimi i dashjes se të akuzaurëve në kryerjen e veprës penale duke marrë parasysh se dashje në këtë vepër penale është element konstituiv i kësaj vepre penale.

Supremja  ka udhëzuar Apelin që në rigjykim të vlerësojë drejt ekspertizën e prokurimit si dhe t’i ftojë ekspertët në shqyrtimin gjyqësor e po ashtu të vërtetojë drejt se si Ministrsë së Shëndetësisë i është shkaktaur dëmi prej 400 mijë eurosh.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale ndaj të akuzuarve përbëhej nga tri pika.

Pika e parë akuzonte Ilir Tolajn, Bekim Fushën dhe Zenel Kuqin se gjatë periudhës 23. 5.2011 deri 31.12.2011 në Prishtinë, në bashkëveprim, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me qëllim që të përfitojë dobi materiale kompania “KMI” sh.p.k. me bashkëpronarë Arion Lleshin dhe Shpend Aganin, i tejkaluan kompetencat si dhe nuk i përmbushën detyrat zyrtare të tyre.

Sipas prokurorisë këto veprime të të akuzuarve kompanisë “KMI” i kanë sjellë dobi materiale në shumë prej 400.000 euro. Në vlerë të njëjtë ata i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës thuhej në aktakuzën e prokurorisë.

Për këtë Prokuroria i akuzonte se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Pika e dytë e aktakuzës e akuzonte Zenel Kuqin se në cilësinë e menaxherit të prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë gjatë periudhës ndërmjet 23.05.2011 dhe 31.12.2011 i tejkaloi kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të dobisë materiale nga kompania “ACG dhe “Standart”, për aktivitetin e prokurimit  “Renovimi gjeneral i aneksit të emergjencës ekzistuese në QKUK”, kompania “Alb Architect” në aktivitetin e prokurimit “Renovimi gjeneral dhe adaptimi i katit përdhes në Klinikën Interne, në repartin e ri për dializë në QKUK”, dhe kompania “Life Farm” për aktivitetin e prokurimit “Furnizim me infuzione”, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerën totale 276.307.97 eurove.

Me këtë në vazhdimësi sipas Prokurorisë Kuqi kishte kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Pika e tretë e akuzonte Valentina Haxhijajn, Remzije Thaçin dhe Florije Tahirin se gjatë periudhës kohore 23.05.2011 deri 31.12.2011, Valentina Haxhijaj në cilësinë e kryetares  së Komisionit për Mbikëqyrjen e Ekzekutimit të Kontratës me Kompaninë “KMI”, sh.p.k. si dhe Remzije Thaqi e Florije Tahiri në cilësinë e anëtares, në bashkëveprim duke e shfrytëzuar autoritetin zyrtar më qëllim që të përfitojë dobi materiale kompania “KMI”, i kanë tejkaluar kompetencat dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare duke i sjellë kompanisë dobi materiale në shumën rreth 400.000 eurove.

Me këtë në vazhdimësi Valentina Haxhijaj, Remzije Thaçi e Florije Tahiri akuzoheshin se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.