Logo e Universitetit të Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Kandidati për rektor të UP-së, Ilir Tolaj, mohon akuzat e ORCA-s se punimi i tij i doktoratës është plagjiat

Kandidati për rektor të Universitetit të Prishtinës, Ilir Tolaj, u akuzua për plagjiaturë nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), e cila punimin e doktoratës të Tolajt sot e dërgoi në Këshillin e Etikës.

Në një prononcim për KALLXO.com, Tolaj ka thënë se punimi i tij është origjinal dhe se rezultatet e doktoratës janë serioze, relevante dhe origjinale.

“Punimi është origjinal, duke përfshirë temën e përzgjedhur, qëllimin, metodologjinë, rezultatet, diskutimin dhe përfundimin. Kjo është esenca e çdo punimi origjinal. Rezultatet të jenë origjinale, serioze dhe relevante”- tha Tolaj.

Tutje, Ilir Tolaj theksoi që hyrja e çdo punimi dhe përmbledhja e punimeve të autorëve të tjerë mund të ketë lëshime në citim të të gjitha burimeve.

“Hyrja e çdo punimi edhe ashtu është përmbledhje e punimeve të autorëve të tjerë në fushën e njëjtë të hulumtimit. Mund të ketë lëshim në citimin e të gjitha burimeve, kjo sepse në kohën kur është punuar gjërave te tilla nuk u është kushtuar vëmendja e nivelit të tashëm. Ndërsa për literaturën nuk ekziston asnjë kufizim që e ndalon shfrytëzimin e literaturës e cila është shfrytëzuar nga dikush tjetër më parë, në çfarëdo renditje qoftë ajo”- shtoi ai.

Në anën  tjetër ORCA pasi dërgoi hulumtimet e saj në Këshillin e Etikës ka kërkuar që profesori i mjekësisë, Ilir Tolaj, ta ndërpresë marrëdhënien e punës dhe t’ia revokojë gradën shkencore duke i konsideruar 99% të referencave të doktoratës si identike me një punim shkencor të vitit 2000.

“Doktorata “Sepsisi meningokoksik në Kosovë – Përvojat tona në përdorimin e terapisë adjuvante” e mbrojtur në vitin 2004 në Universitetin e Prishtinës nga kandidati Ilir Tolaj, pjesën e hyrjes, shqyrtimit të literaturës, dhe 99% të referencave i ka identike dhe të përkthyera nga një punim shkencor i vitit 2000 nga autorë të huaj”- theksoi ORCA.

Pesë kandidatë për rektor të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” i janë propozuar Senatit të UP-së nga komisioni për verifikimin e kandidatëve për rektor.

Listën me kandidatë e ka lexuar Qerkin Berisha, kryetar i komisionit për verifikimin e kandidatëve për rektor. Berisha shtoi se në konkurs janë paraqitur gjashtë kandidatë: Ilir Tolaj, But Deda, Salih Salihu, Sefer Avdijaj, Ermir Rogova dhe Qerim Qerimi.

Pesë kandidatë për rektor të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, i janë propozuar Senatit të UP-së nga komisioni për verifikimin e kandidatëve për rektor.

Listën me kandidatë e ka lexuar Qerkin Berisha kryetar i komisionit për verifikimin e kandidatëve për rektor.

Berisha shtoi se në konkurs janë paraqitur gjashtë kandidatë: Ilir Tolaj, But Deda, Salih Salihu, Sefer Avdijaj, Ermir Rogova dhe Qerim Qerimi.

Komisioni sipas Berishës i ka shqyrtuar aplikimet dhe kanë ardhur në përfundim që të gjithë kandidatët i kanë dorëzuar dokumentet me kohë ndërkaq, njëri nga kandidatët nuk e ka plotësuar një kriter të konkursit.

Berisha ka bërë me dije se profesori Salih Salihu nuk e ka plotësuar një kriter të konkursit i cili ishte që mos të jetë kandidat në ndonjë parti politike në tri vitet e fundit.

“Pesë prej kandidatëve i kanë kaluar kriteret sa i përket kandidatit Salih Salihu komisioni ka vërejtur se kandidati ka qenë në listën e një koalicioni zgjedhor në zgjedhjet e fundit 2019. Rrjedhimisht nga data e certifikimit të zgjedhjeve të vitit 2019 deri në momentin e hapjes së konkursit kandidati nuk i ka kaluar 3 vite dhe sipas kritereve të konkursit nuk e ka kaluar këtë pikë dhe i bie që nuk e kalon. Kandidatët e tjerë konsiderojmë si komision se i plotësojnë kriteret formale të konkursit” – tha ai.

Në mbledhje e ka marr fjalën edhe Bleron Beka nënkryetar i Parlamentit Studentor i cili ka kërkuar që në rend dite në mbledhjen e Senatit të UP-së të futet kërkesa për rregullore për trajtimin e rasteve të plagjiaturës.

Beka ka kërkuar të themelohet rregullore për trajtim te rasteve anti-plagjiaturë.

Beka shtoi se rektori i ardhshëm duhet ta luftojë me çdo mjet të mundshëm plagjiaturën e jo ta mbështesë atë.Më pas studentët kanë vendosur edhe disa broshura në mesin e të cilave gjendeshin mbishkrime si “Jo rektor të politizuar”, “Duam sistem antiplagjiaturë”, “Duam rektor që nuk keqpërdor paranë publike”, etj.