Debati për ndotjen e ajrit | Foto: KALLXO.com

Në 2016-ën 53 Ditë me Tejkalime të Ndotjes

Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së në Prishtinë zhvilloi debatin lidhur me gjendjen aktuale të ndotjes së ajrit në Kosovë, politikat dhe ligjet e BE-së për cilësinë e ajrit dhe reagimin institucional ndaj shifrave alarmante të kësaj ndotjeje.

Në debat u bë e ditur se gjatë vitit 2016 janë regjistruar 53 raste në 53 ditë të tejkalimit të vlerës së lejuar ditore të ndotjes me mikrogrimca PM10, ndërsa sipas standardeve të BE-së dhe legjislacionit vendor brenda vitit lejohen 35 ditë me tejkalime të ndotjes së ajrit me mikrogrimca të tilla të dëmshme.

Miran Vatovec nga Zyra e Bashkimit Europian tha se ndotja e ajrit është njëri ndër shkaktarët më të mëdhenj të vdekjeve që bëhen në Europë dhe se gjendja e ajrit momentalisht është shumë e keqe.

Vatovec debatin për ndotje të ajrit e konsideroi të dobishëm, pasi sipas tij nëpërmjet debateve të tilla krijohet vetëdijesim për çështjet që prekin jetë e njerëzve.

“Ngjarjet e tilla janë shumë të rëndësishme sepse përmes këtyre debateve mund të shkëmbejmë informata të ndryshme, të njihemi në mes vete, po ashtu edhe mund të kontribuojmë në vetëdijesimin e rreth temave siç është kjo e ndotjes së ajrit,” tha Vatovec nga zyra e BE-së.

Dr. Antigona Dervishaj nga Instituti i Shëndetit Publik tregoi se çfarë duhet bërë që të pakësohet ndotja dhe të përmirësohet cilësia e ajrit.

“Urgjentisht duhet të hiqen nga përdorimi veturat e vjetra dhe veturat pa katalizator, duhet të shtohet numri i autobusëve me karburante ekologjike në transport publik, duhet shtuar sipërfaqet gjelbëruese në zona urbane,” sugjeroi Dervishaj.

Në debat nga Kuvendi i Komunës së Prishtinës e pranishme ishte Seniha Bajraktari.

Bajraktari përmendi autobusët e rinj të “Trafikut Urban”, të cilët sipas saj do të ndikojnë në uljen e ndotjes, ndërsa deklaroi se kjo komunë kujdes po i kushton edhe gjelbërimit.

Në panelin diskutues ishte edhe Letafete Latifi, drejtore e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës dhe Trim Ilazi nga shoqëria civile.

kohëve të fundit në Prishtinë ajri u konsiderua i dëmshëm për shëndetin, ndërsa disa organizata të shoqërisë civile në dhjetor të vitit të kaluar vendosën disa kukulla me mesazhe vetëdijesuese kundër ndotjes së ajrit.

http://kallxo.com/kukulla-mesazhe-si-vetedijesim-per-ndotjen/

Gazeta Jeta në Kosovë po në dhjetor këshilloi qytetarët se si të mbrohen në kohën e ndotjes së ajrit.

Si t’i Lexojmë Parashikimet për Ndotjen e Ajrit në Prishtinë

Redaktoi: Bekim Muhaxheri