Pamje nga seminari i ATK-së për Ngarkesën e Kundërt të TVSh-së - Foto: KALLXO.com

Ndërtuesve u Sqarohet Ngarkesa e Kundërt e TVSh-së

Pronarët e kompanive të ndërtimit dhe persona që merren me shërbime të këtij sektori sot patën mundësinë të informohen për aplikimin e Ngarkesës së Kundërt të TVSh-së në një seminar të organizuar nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK).

Sami Salihu, ushtrues detyre i drejtorit të Shërbimeve dhe Edukimit të Tatimpaguesve, tha se përkundër sqarimeve të dhëna më parë e kanë parë të arsyeshme të organizonin këtë seminar për këtë veprimtari të biznesit.

“Me datën 21 qershor, kur kemi mbajtur një tryezë të përbashkët me Odën Ekonomike të Kosovës dhe me Shoqatën e Ndërtimtarëve, edhe pse kemi bërë sqarime për aplikimin e Ngarkesës së Kundërt të TVSh-së për shërbimet në lëmin e ndërtimit, e kemi parë të arsyeshme që të organizojmë edhe një seminar të veçantë për këtë lloj të veprimtarisë së biznesit”, tha ai.

Salihu tha se përveç që i ka informuar bizneset përmes njoftimit në faqen zyrtare të saj, publikimit në mediat elektronike dhe ato të shkruara, etj., Administrata Tatimore e Kosovës u ka dërguar njoftim edhe në e-mail, posaçërisht bizneseve që merren me ndërtim.

Aplikimi i Ngarkesës së Kundërt të TVSh-së për shërbimet në lëmin e ndërtimit është dispozitë ligjore e përcaktuar me Ligjin e ri të TVSh-së, që hyri në fuqi në shtatorin e vitit të kaluar.

http://kallxo.com/mesim-per-tvsh-ne-e-sektorit-te-ndertimit/