Foto: Kallxo.com

Muzeu i Kosovës miraton statutin e ri, bëhet Muze Kombëtar

Nga sot e tutje Muzeu i Kosovës do të quhet Muzeu Kombëtar i Kosovës, si rezultat i statutit të ri të këtij institucioni i cili ka hyrë në fuqi nga dita e sotme.

Nënshkrimi i statutit të ri nga ministri i Kulturës Kujtim Gashi është bërë sot në Muzeun e Kosovës.

Me statutin e ri, i cili zëvendëson atë të vitit 1978, Muzeu i Kosovës emërtohet Muzeu Kombëtar i Kosovës me shkurtesën MKK.

Statuti i ri përcakton organet drejtuese të MKK-së, Këshillin Drejtues dhe drejtorin e MKK-së, duke rregulluar edhe mandatin, veprimtarinë, organet drejtuese dhe kompetencat e tyre; statusin juridik, organizimin e brendshëm, burimet e financimit, përzgjedhja, organizimi i punonjësve profesionalë, administrativë dhe teknikë si dhe bashkëpunëtorëve të jashtëm.

Duke e konsideruar si të rëndësishëm statutin e ri të Muzeut, ministri Gashi ka pohuar se statuti i ri mundëson për herë të parë evidentimin, regjistrimin dhe digjitalizimin e fondit muzeor të Republikës së Kosovës.

“Ky statut mundëson ngritjen e kapaciteteve dhe cilësisë së shërbimit muzeor një veprimtari me të konsoliduar si në aspektin profesional po ashtu edhe në atë shkencor”, ka thënë ministri Gashi.

Ndërsa kanë folur edhe Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Kulturës dhe ushtruese e detyrës së drejtorit të MKK dhe Selim Bezeraj, kryetar i KD të Muzeut Kombëtar.