ARKIV Dibran Hoxha i arrestuar nga Policia e Kosovës | Foto: KALLXO.com/Arkiv 2018

Vrasja në “Kobra City”, Gjykata ua vazhdon edhe për dy muaj paraburgimin Dibran Hoxhës dhe shokëve të tij

Kliko këtu, bashkohu në grupin e KALLXO në Viber dhe informohu në kohë reale me lajmet kryesore gjatë ditës

_________________________________________________________________________________

Në orët e para të 3 janarit, në lokalin “Kobra City” kishte ndodhur një incident, gjatë të cilit ka pasur të shtëna me armë zjarri dhe si pasojë një i ri nga Kukësi ka mbetur i vdekur e një tjetër i plagosur.

Dibran Hoxha, i njohur si ‘Kobra’, është i dyshuari kryesor për veprat penale – vrasje e rëndë, armëmbajtje pa leje dhe manipulim me prova.

Lidhur me këtë incident të dyshuar janë edhe Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi, Enver Amrallahu dhe Roland Susuri.

Gjykata e Prizrenit kishte caktuar masën e paraburgimit për të dyshuarit.

Në fillim të shkurtit, si kompetente për hetimin e këtij rasti u caktua Prokuroria Speciale. Si rrjedhojë rasti tashmë ka kaluar në trajtim në Gjykatën e Prishtinës.

Sot, Gjykata e Prishtinës ua ka vazhduar paraburgimin edhe për 2 muaj të tjerë të dyshuarve.

“Pas kërkesës së Prokurorisë Speciale, Gjykata e Prishtinës, Departamenti Special, ka vendosur për të vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë të gjithë grupit të akuzuar në këtë rast” – tha për KALLXO.com zyrtarja për informim e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

Të dyshuarit e tjerë, shokët e Dibran Hoxhës, Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrallahu, po dyshohen për veprën penale – pjesëmarrja në rrahje.

Ndërsa, Roland Susuri është i dyshuari i shtatë, i cili u arrestua dhe dërgua në paraburgim lidhur me rastin e vrasjes së 31-vjeçarit në lokalin “Kobra City” në Prizren.

Susuri, që punonte kamerier në lokal, po dyshohet se ka fshehur provat duke zhdukur pamjet nga kamerat e sigurisë ditën që ka ndodhur vrasja.

Ai po ashtu dyshohet se ka fshehur edhe armën dhe telefonin e të dyshuarit kryesor për këtë vrasje, Dibran Hoxhës.

KALLXO.com ka siguruar dosjen e Prokurorisë ndaj të dyshuarit Dibran Hoxha për vrasjen e rëndë të ndodhur në orët e para të mëngjesit të 3 janarit.

Në dosje të Prokurorisë thuhet se ekziston dyshimi i bazuar mirë se Hoxha ka shtënë në drejtim të veturës, e cila ndodhej në parkingun e lokalit të tij “Kobra City”.

Policia ka realizuar një mori bastisjesh në Prizren dhe gjatë bastisjeve kë lokalin e ‘Kobrës’ ka gjetur një mori sendesh ilegale.

Një regjistrues i pamjeve të kamerave (DVR) është zbuluar gjatë operacionit të bastisjeve të ndërmarrë në lidhje me rastin e vrasjes në lokalin e natës “Kobra City” në Prizren.

Mes gjësendeve të konfiskuara janë edhe një granatë dore dhe disa fishekë të njërit prej të dyshuarve.

Ndërkaq, burime brenda grupit hetimor kanë thënë për KALLXO.com se në shtëpinë e Dibran Hoxhës është zbuluar një kasafortë e fshehur prapa kaminës së tij.

Raportime e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.