Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Kardiologët invazivë e quajnë të kundërligjshëm ndryshimin e statutit të QKUK-së nga ministri Latifi
Trembëdhjetë kardiologë invazivë i janë drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me kërkesën për anulimin e vendimit të ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi, për ndryshimin e statutit të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës.
Kardiologët invazivë janë ankuar se nuk janë pyetur fare e që sipas tyre është veprim kundërligjor moskonsultimi i tyre.
Gjithashtu, në kërkesën e tyre thuhet se ky ndryshim i statutit është nismë “e disa grupeve të interesit” dhe nga disa persona në Klinikën e Kardiologjisë.
“Ata, vazhdimisht, në mënyrë sistematike tentojnë ta prishin imazhin e kësaj klinike dhe kanë tendencë të minimizimit të sukseseve të Repartit të Kardiologjisë Invazive në kuadër të Klinikës së Kardiokirurgjisë dhe Kardiologjisë Invazive e cila, në këto vite të funksionimit të punës së përbashkët ka treguar rezultate të jashtëzakonshme, të cilat mund të dëshmohen me fakte”, thuhet në kërkesën e kardiologëve invazivë.
Gjithashtu ata në kërkesë, përmes të cilës kanë kërkuar anulimin e vendimit, kanë thënë se tashmë ju pamundësohet e drejta për të konkurruar në pozita menaxheriale (shefa repartesh e deri tek drejtori).
KALLXO.com i është drejtuar Zyrës Ligjore të Kryeministrit me kërkesë për informacione në lidhje me këtë rast, por të njëjtit nuk kanë treguar gatishmëri të përgjigjen, ndonëse pyetjet u janë dërguar 8 ditë më parë.
Me vendimin e Latifit, Kardiologjia Invazive është kthyer nën autoritetin e Klinikës së Kardiologjisë.
Latifi më 8 prill ka nënshkruar vendimin përmes të cilit ka kthyer shërbimin e Kardiologjisë Invazive në Klinikën e Kardiologjisë përmes ndryshimit të statutit të QKUK-së.
Përmes vendimit, është ndryshuar paragrafi 6.17 i nenit 12, pasi i njëjti kishte zhvendosur Kardiologjinë Invazive në Klinikën e Kardiokirurgjisë në vitin 2017.
“Plotësohet dhe ndryshohet nënparagrafi 6.17 i nenit 12 të Statutit të Qendrës Klinike Universitare i miratuar në maj të vitit 2014 si në vijim: 6.17. Shërbimi klinik i Kardiokirurgjisë”, thuhet në nenin 2.
Me këtë vendim të ri të Latifit, është shfuqizuar vendimi i datës 14 nëntor të vitit 2016. Statuti i ri i QKUK-së me ndryshime do të hyjë në fuqi javën e ardhshme.
Latifi në një konferencë për media në muajin janar kishte thënë se Kardiologjia Invazive duhet të jetë së bashku me Kardiologjinë sikurse çdo vend në botë.
“Organizimi i kardiokirurgjisë dhe kardiologjisë duhet të bëhet sipas standardeve botërore. Kardiokirurgjia me qenë kardiokirurgji, kurse kardiologjia me qenë e përbashkët sikurse çdo vend në botë”, kishte deklaruar Latifi.
Kujtojmë që këtë ndryshim e ka iniciuar bordi i SHSKUK në mars 2021.