ARKIV Dibran Hoxha i arrestuar nga Policia e Kosovës | Foto: KALLXO.com/Arkiv

Vendimi i fundit i Gjykatës për 'Kobrën', i dyshuari kryesor për vrasjen e të riut nga Kukësi

Dibran Hoxha do të mbetët nën masën e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë lidhur me rastin e vrasjes së shtetasit shqiptar nga Kukësi, në një lokal të Prizrenit në vitin 2023.

Hoxhës i është vazhduar paraburgimi deri në mars të këtij viti.

Këtë për kallxo.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi.

“Të pandehurit D. H. i është vazhduar paraburgimi në kohëzgjatje prej 2 muaj”- tha Gashi për KALLXO.com.

Dibran Hoxha vazhdon të mbetet nën masën e paraburgimit që nga janari i vitit 2023. Ndaj tij edhe pse një vit si i dyshuari kryesor për vrasjen e të riut nga Kukësi, ende Prokuroria nuk ka dalë me një njoftim për ngritje të aktakuzës.

Të dyshuarit e tjerë për këtë rast janë: Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrallahu, ata po dyshohen për veprën penale – pjesëmarrje në rrahje.

Gjykata e Prizrenit kishte caktuar masën e paraburgimit për të dyshuarit.

Në fillim të shkurtit, si kompetente për hetimin e këtij rasti u caktua Prokuroria Speciale. Si rrjedhojë rasti tashmë ka kaluar në trajtim në Gjykatën e Prishtinës.

Ndërsa, Roland Susuri është i dyshuari i shtatë lidhur me rastin e vrasjes së 31-vjeçarit në lokalin “Kobra City” në Prizren. Susuri, që punonte kamerier në lokal, po dyshohet se ka fshehur provat duke zhdukur pamjet nga kamerat e sigurisë ditën që ka ndodhur vrasja.

Ai po ashtu dyshohet se ka fshehur edhe armën dhe telefonin e të dyshuarit kryesor për këtë vrasje, Dibran Hoxhës.

Në Dosje të Prokurorisë thuhet se ekziston dyshimi i bazuar mirë se Hoxha ka shtënë në drejtim të veturës, e cila ndodhej në parkingun e lokalit të tij “Kobra City”.

Policia ka realizuar një mori bastisjesh në Prizren dhe gjatë bastisjeve në lokalin e ‘Kobrës’ ka gjetur një mori sendesh ilegale.

Një regjistrues i pamjeve të kamerave (DVR) është zbuluar gjatë operacionit të bastisjeve të ndërmarra në lidhje me rastin e vrasjes në lokalin e natës “Kobra City” në Prizren.

Mes gjësendeve të konfiskuara janë edhe një granatë dore dhe disa fishekë të njërit prej të dyshuarve.

Ndërkaq, burime brenda grupit hetimor kanë thënë për KALLXO.com se në shtëpinë e Dibran Hoxhës është zbuluar një kasafortë e fshehur prapa oxhakut së tij.

Informata të tjera me rëndësi lidhur me këtë rast mund t’i ndiqni duke klikuar këtu- LINK