Mustafa Shuton një Penallti në Gjilan

Gjatë vizitës në Parkun “Dardania” të Gjilanit që u përurua sot, ndërsa përbëhet nga kjo fushë futbolli, një tjetër për të luajtur basketboll dhe një shëtitore, Mustafa shutoi në drejtim të portës nga pika e bardhë, duke shënuar gol.

Gjuajtjen e Mustafës tentoi ta presë pa arritur ta bëjë këtë drejtori i Spitalit Regjional të Gjilanit Besim Gruda.

I pranishëm në këtë përurim ishte edhe përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë Samuel Zhbogar që shprehu kënaqësinë që parku i financuar nga Komisioni Evropian po inaugurohet dy javë pas Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Për parkun BE-në dhe Zhbogarin e falënderoi edhe kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri.

“Jemi të nderum sot që në Lagjen ‘Dardania’ po bëjmë përurimin e parkut i cili është bashkëfinancuar në kuadër të programit ‘Kosova e Bukur’ nga programet IPA që ka qenë e udhëhequr nga Komisioni Evropian nën kujdesin e zotit Zhgobar respektivisht divizionit të udhëhequr nga zotëri Stock dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale,” tha Haziri.

Mustafa përveç parkut, në Gjilan vizitoi edhe shtëpinë e kulturës të përuruar në muajin mars.

“Për neve është me rëndësi që të ketë bashkëpunim shumë të mirë me komunën që komuna të investojë për rini, që të krijohet një hapësirë në të cilën të kenë mundësi komunikimi dhe këmbimi të mendimeve të avancimit të dijenisë”

Edhe te shtëpia e kulturës Mustafa foli për futbollin.

“Dhe po ashtu jemi të interesuar që përfundimisht edhe me futbollin të anëtarësohemi në organizata ndërkombëtare UEFA dhe FIFA dhe do të bëjmë përpjekje që këtë ta përmbyllim gjatë muajit maj, që do të jetë një sukses veçmas për rininë se e dimë se çfarë janë simpatitë e juaja dhe kërkesat e juaja për sportin,” tha Mustafa.

Kryeministri në Gjilan vizitoi edhe Fabrikën e Radiatorëve “Enrad” ku janë të punësuar 200 punëtorë.

“Këtu ka një shembull të një privatizimi që ka shkuar mjaft vështirë, por i cili për fat të mirë është treguar shumë i suksesshëm, falë një ndërmarrësie dhe insistimit që firma të aktivizohet. Sot kjo firmë është pjesëmarrëse në treg regjional dhe evropian dhe e cila bën eksportimin e produkteve në mbi 10 vende që për ne është e rëndësisë themelore,” tha Mustafa.