Isa Mustafa - Foto: REL/Reuters

Mustafa: Shpend Ahmeti e shpëtoi qeverinë, Kushtetuesja e shpëtoi atë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka reaguar pas vendimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila i ka rikonfimuar edhe një herë Shpend Ahmetit pozitën e kryetarit të Komunës së Prishtinës.

Sipas tij e gjitha kjo ‘fitore’ e Shpend Ahmetit në këtë gjykatë vie pas ‘shpëtimit’ që ky i fundit ia bëri qeverisë Haradinaj

“Të shtunën, Shpend Ahmeti e shpëtoi Qeverinë, të hënën Gjykata Kushtetuese e shpëtoi Shpend Ametin. E mira kthehet me të mir! Gjykata Kushtetuese shkeli të gjitha afatet ligjore për të vendosur për kërkesën e Arban Abrashit. Në fund vendosi në interes të pushtetit”, ka shkruar Mustafa në facebook.

Mustafa, për ta demonstruar se sa shumë sipas tij është kapur institucioni i Gjykatës Kushtetuese ka treguar një shembull.

“Vendimi i sotëm i kësaj gjykate, më kujtoi një rast të viteve nëntëdhjeta të një mikut tim, profesor nga Tirana. Kishte shkuar në gjykim për të kërkuar lirimin e shtëpisë së tij, që ia kishte uzurpuar një palë. Kur gjykata vendosi në llogari të palës uzurpuese, profesori mbeti ulur në gjykatë, i habitur. Gjykatësi kërkoi të largohet, pasi kishte përfunduar gjykimi. Profesori e pyeti, po si u bë prona ime pronë e tij?! Gjykatësi iu përgjigj, kësaj radhe ky e bëri punën, bëje ti punën radhën tjetër”, ka shkruar Mustafa.

Tutje kryetari i LDK-së ka thënë se një shtet që e humb besimin në Gjykatën Kushtetuese nuk i ka punët mirë!

Vendimi i Kushtetueses: Shpend Ahmeti përfundimisht mbetet kryetar i Prishtinës