Isa Mustafa - Foto: Atdhe MULLA

Mustafa: Më 2019 duhet të jemi gati të mbrojmë familjet nga vendimet e Qeverisë Haradinaj

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka përqeshur koncept-dokumentin e Qeverisë Haradinaj për lojërat e fatit.

Sipas kreut të LDK-së, me këtë koncept-dokument, Qeveria do ta bëjë Kosovën lavatriçe të parave të pista nga droga, prostitucioni, fajdeja e ekonomia joformale.

“Qeveria me koncept dokumentin për lojëra e fatit do ta bëjë Kosovën lavatriqe të parave të pista nga droga e prostitucioni; nga fajdeja, tenderët dhe ekonomia informale. Vitin që vjen pritet se në shtëpi do të vijnë burrat me xhepa bosh, pa para me të cilat e provojnë fatin e tyre dhe fëmijët e përlotur të cilët, në vend të ushqimit, afër shkollave të tyre luajnë lojëra të fatit”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Sipas tij ky është premtim i madh i Qeverisë së madhe me ministra dhe zëvendësministra me aktakuza.

Tutje Mustafa ka thënë që në vitin 2019-të duhet të mbrohen familjet nga veprimet e papërgjegjshme të Qeverisë Haradinaj.

“Në vitin 2019 duhet të jemi gati të mbrojmë familjet tona, fëmijët, mbesat dhe nipërit tanë nga vendimet dhe veprimet e papërgjegjshme të kësaj qeverie. Por, ne do të ngadhënjejmë” ka shkruar tutje ai.