?????????????

MSA-Rruga e Bizneseve Kosovare Drejt BE-së

Për efektet e MSA-së dhe atë sesa jemi të përgatitur për të u diskutua sot në konferencën e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGK) në bashkëpunim me Institutin për Politika Zhvillimore (INDEP).

Hykmete Bajrami, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, tha se MSA-ja do t’i ndihmojë zhvillimit ekonomik.

“Me këtë marrëveshje bizneset kosovare do të përfitojnë më së shumti. Pritet që t’i sjellë mjaft dobi ekonomisë dhe rritjen e produktivitetit. Ne si qeveri jemi duke i bërë reformat e duhura për këtë marrëveshje”, tha Bajrami.

Shefi i Operimeve të Zyrës së BE-së në Kosovë, Christof Stock tha se kompanitë kosovare duhet të orientohen kah eksporti dhe të përgatiten sipas standardeve të BE-së.

“Kosova gradualisht është duke i harmonizuar standardet e BE-së dhe kjo [MSA-ja] pritet të ndikojë në konkurrencën e aktorëve ekonomikë dhe duke ulur çmimet e produkteve,” tha Stock.

Albert Matoshi, drejtori i Odës Ekonomike Gjermane në Kosovë tha se MSA-ja është mjaft e rëndësishme për ekonominë dhe pritet që ta rritë konkurrencën për bizneset kosovare për një treg prej 500 milionë banorësh.

Ramadan Ilazi, zëvendësministri i Integrimeve Evropiane tha se MSA-ja është një kornizë e marrëdhënieve ndërmjet Bashkimit Evropian dhe BE-së dhe me anë të kësaj marrëveshje kompanitë kosovare do të kenë trajtim të barabartë në tregun evropian.