Kryeministri maqedonas Zoran Zaev. Foto: MIA

Mocion Mosbesimi ndaj Qeverisë Maqedonase

Ka ardhur koha për një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së Maqedonisë, meqë të gjithë institucionet e vendit në tërësi janë jofunksionale.

Ky është qëndrimi i fundit i opozitares VMRO-DPMNE.

Koordinatori i grupit parlamentar të kësaj partie Dragan Danev tha se kërkesa në fjalë, me nënshkrimin e 42 deputetëve do t’i dorëzohet Kuvendit.

Kërkojnë të thirret seancë e jashtëzakonshme për votimin e mocionit, por nuk precizojnë afatet kohore.

“Për momentin po përpilohet dokumenti me të cilin do ta kërkojmë besimin, ose do t’u drejtohemi deputetëve të Kuvendit prej të cilëve do të kërkojmë votën për mosbesim të kësaj qeverie dhe besoj se ky dokument shumë shpejt do të jetë i përgatitur dhe do t’u dërgohet shërbimeve të Kuvendit, dhe presim më pas sipas rregullores së Parlamentit Talat Xhaferi të caktojë seancën në të cilën do të kërkojmë besimin e Qeverisë”, u shpreh Dragan Danev, deputeti i VMRO-DPMNE-së.

Neni 215 i Rregullores së Kuvendit është decidiv kur flet për afatet e thirrjes së kësaj seance.

“Për ngritjen e çështjes së besimit të Qeverisë, kryetari i Parlamentit menjëherë cakton seancë. Seanca thirret ditën e tretë nga dita e ngritjes së çështjes së besimit të Qeverisë. Afati fillon të rrjedhë të nesërmen nga dita e dorëzimit të iniciativës.”

Ky do të jetë testi i parë i kabinetit të kryeministrit Zaev, pas 10 muajsh qeverisje.

Kryeministri dje komentoi paralajmërimet e opozitës për votim të mosbesimit ndaj qeverisë.

“Gjithsesi se është e drejta e tyre që të paraqesin interpelancë për Qeverinë, por gjithashtu duhet të kujdesemi që edhe ligjet të sillen brenda afatit të paraparë, pasi që nuk do të dëshironim t’i japim arsye asnjë vendi anëtar të Bashkimit Europian për justifikim në lidhje me çfarëdo qoftë, kur veç më i kemi votuar ligjet. Është e qartë se ekziston konsensus i plotë në Kuvend që të sillen këto zgjidhje”, tha kryeministri Zoran Zaev.

Mocion ndaj Qeverisë mund të dorëzojnë së paku 5 deputetë, ndërsa për t’u rrëzuar Qeveria duhet së paku 61 vota.

Debati mbi besimin e Qeverisë zgjat një ditë dhe votimi realizohet në mesnatë.

Gjatë seancës së sotme Kuvendi i Maqedonisë ka votuar mbi 40 ligje në lexim të parë./21Media