Ministria e Kulturës

MKRS thotë se i ka kryer detyrimet e parapara me MSA-në

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit thotë se i ka realizuar 100% të masave të Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit (PKZMSA-së) për vitin 2018.

Përmes një njoftimin MKRS bënë të ditur se në funksion të avancimit të kornizës ligjore përkatësisht përafrimit të legjislacionit me Acquis-në e BE-së, në kuadër të masave legjislative, MKRS-ja ka arritur të hartojë dhe sponsorizojë dy rregullore për të drejtën e autorit.

“Bëhet fjalë për rregulloren për kompensime të veçanta, akt nënligjor ky i ri në Republikën e Kosovës si dhe rregullorja për ndërmjetësim në fushën e të drejtës së autorit. Të dyja rregulloret janë miratuar në fund të tetorit të vitit të kaluar”, thuhet në komunikatën.

Po sipas MKRS masat zbatuese që MKRS-ja ka përmbushur sipas kërkesave të PKZMSA-së, janë trajnimi i 6 gjyqtarëve për të drejtën e autorit; miratimi i koncept dokumentit për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore; zbatimi i strategjisë kombëtare për trashëgimi kulturore, ku përfshihet avancimi dhe plotësimi i databazës së të dhënave; hartimi i planeve për menaxhimin e aseteve të trashëgimisë; realizimi i projekteve të restaurimit dhe konservimit në fushën e trashëgimisë dhe ndërhyrjen emergjente dhe hulumtime në këtë fushë.

MKRS përmes kësaj komunikate ka përmendur edhe punë që sipas saj, është bërë në fushën e trashëgimisë kulturore, sidomos sa i përket infrastrukturës ligjore, mbrojtjes, konservimit, diversitetit kulturore, etj.