Ministrja Dhurata Hoxha - Foto: KALLXO.com

Ministrja Hoxha dënon vrasjen e dyfishtë në Gjakovë

Ministrja e Integrimit Europian, Dhurata Hoxha, ka dënuar fuqishëm vrasjen e dyfishtë në Brekoc të Gjakovës.

“Mbrëmë, akti makabër në Gjakovë, ku u vranë nëna dhe bija e saj, është tronditje për të gjithë qytetarët dhe institucionet e vendit. Si nënë, grua, qytetare e këtij vendi dhe Ministre e Qeverisë së Republikës, e dënoj fuqishëm këtë akt”, ka shkruar ministrja në “Facebook”.

Hoxha ka thënë se ky rast duhet të ngjallë ndërgjegjësimin për ndaljen e dhunës ndaj gruas dhe fëmijës.

“Ky rast dhe të tjera raste që kanë ndodhur në të kaluarën, duhet të ngjallin ndërgjegjësimin për secilin qytetar dhe bartës të përgjegjësive institucionale, duke i thënë stop vrasjes dhe krimit ndaj gruas, ndaj fëmijës. Ky krim është krim ndaj familjes dhe vlerave familjare të shoqërisë sonë. Pas këtij akti kriminal, veprimet kundër kësaj dukurie të tmerrshme të krimit në familje, duhet të jenë të fuqishme si përgjigje ndaj çdo krimineli që çon dorë kundër gruas, fëmijëve dhe dhunës në familje në përgjithësi”, ka përfunduar Hoxha.

40 vjeçari, Pjeter Nrecaj është i dyshuari për vrasjen e ish-gruas dhe vajzës 9-vjeçare.