Foto: Ilustrim

Ministria e Mjedisit Fillon Zëvendësimin e Qymyrit me Drunj

Në një çerdhe private dhe Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë qymyri u zëvendësua me drunj për ngrohje nga Ministria e Mjedisit.

Ministrja Albena Reshitaj tha se zëvendësimi që po nisë me këto dy institucione po bëhet për ta ulur nivelin e ndotjes së ajrit në Prishtinë.

“Kemi filluar me Prishtinën, janë identifikuar disa pika më të ndjeshme dhe njëra prej tyre ku kemi mendu që është mirë të intervenohet është kjo çerdhe dhe kemi ardhë në një bashkëpunim që t’ju marrim thëngjillin dhe t’u japim drunjtë e konfiskuar të cilët kemi arritur ti mbledhim prej Agjencionit të Pyjeve dhe mënyrave të tjera”, tha Reshitaj.

Safete Stavileci, drejtoreshë në çerdhen private “Hëna”, ku u krye zëvendësimi i qymyrit me drunj, tha se kështu po përmirësohet jeta.

“Unë falënderoj ministreshën dhe ministrinë që kanë marrë kësi hapi për të cilën na përmirëson kushtet e jetës dhe mundem me thanë që gjatë tërë kohës kam përdorë edhe dru, por edhe një sasi të vogël të thëngjillit”, tha Stavileci.

Fakulteti i Studimeve Islame, ishte përfituesi tjetër i drunjve nga ana e Ministrisë së Mjedisit.

Dekani i këtij fakulteti Fahrush Rexhepi tha se do të bashkëpunojë me ministrinë.

Ministrja Reshitaj tha se do të luftohet ndotja nga thëngjilli.

“Mendoj se nuk ka alternativë tjetër që do të na ndalojë që së bashku me të gjitha institucioneve ta luftojmë përdorimin e thëngjillit dhe të gjitha lëndëve djegëse që dëmtojnë shëndetin e qytetarëve tanë”, tha Reshitaj.

Javën e kaluar, në Emisionin “Jeta në Kosovë”, ministrja Reshitaj ishte zotuar se do ta ndërpresë përdorimin e qymyrit në dy çerdhe të Prishtinës.