Ministria e Integrimeve Evropiane paguan qira ende pa u vendosur në objektin e ri

Ministria e Integrimeve Evropiane shumë shpejtë do të vazhdoj punën e saj në një objekt të ri.

Me kërkesë të kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj për lirimin e zyrave të MIE-së, të cilat ndodhen në Objektin e Qeverisë, e njëjta ministri do të zhvendoset në objektin e ri në lagjen Pejton në Prishtinë.

Ministria e Integrimeve Evropiane ende pa filluar punën në objektin e ri ka paguar qira për të njëjtin objekt.

Në përgjigjet dhënë për KALLXO.com, MIE ka treguar se kjo qira është paguar që nga dita e lidhjes së kontratës, pasi sipas tyre është obligim kontraktual.

“Zhvendosja është duke vijuar, një pjesë e stafit tashmë është në ambientet e reja. Ministria paguan qira nga dita e lidhjes së kontratës, është obligim kontraktual i cili duhet respektuar”, thuhet në përgjigjen e MIE-së.

Por, shumën e qirasë të cilën kjo Ministri e paguan çdo muaj nuk e kanë bërë publike.

“Shuma e qirasë mujore është çështje e klauzolës së kontratës të mos publikohet, ndërsa qiraja ka filluar të paguhet nga koha e nënshkrimit të kontratës”, thuhet në përgjigjen e MIE-së.

KALLXO.com ka kërkua një përgjigje nga Ministria edhe për arsyen e pagesës së qirasë për objektin të cilin ende nuk kanë filluar të shfrytëzojnë, por sipas tyre, ky objekt është shfrytëzuar që nga dita e lidhjes së kontratës.

“Objekti është shfrytëzuar nga MIE që nga dita e lidhjes së kontratës, fillimisht janë bërë përshtatjet e nevojshme të hapësirës për nevojat e Ministrisë dhe procesi i bartjes ka vazhduar siç është paraparë. Tashmë një pjesë e stafit është vendosur në objekt. Sa më parë jemi të interesuar dhe po punojmë që të ndodh që i gjithë personeli të ketë ambientet e përshtatshme në objekt”, thuhet në përgjigjen e tyre.