Bedri Hamza në terrern pas vërshimeve Foto: Komuna e Mitrovicës në Facebook

Komuna e Mitrovicës njofton se do t’ua paguajë qiranë familjeve të prekura nga vërshimet

Disa komuna të Kosovës të enjten u goditën nga vërshimet pas reshjeve të dendura të shiut.

Ndër rajonet e prekura nga vërshimet ishte edhe ai i Mitrovicës. Pushteti lokal shpalli gjendjen e jashtëzakonshme ndërsa mësimi në shkolla nuk u mbajt të premten.

Kryetari i Komunës së Jugut, Bedri Hamza, njoftoi të premten se do të mbulojë shpenzimet për qiranë për familjet që janë prekur nga vërshimet.

Ai tha se deri më tani janë evakuuar rreth 40 familje.

“Më shumë se 40 familje janë evakuar në gjithë qytetin dhe pasojat janë shumë të mëdha. Mbi të gjitha fatmirësisht nuk kemi pasur humbje të njerëzve. Ata kanë nevojë për gjithçka, pasi që shtëpitë janë të pabanueshme dhe urgjent duhet t’i qëndrojmë pranë njerëzve me pako ushqimore, veshmbathje, si dhe duhet të bëhet identifikimi i familjeve që janë pa strehë, t’i vendosim me qira dhe komuna të marrë përsipër pagesën e qirasë”- citohet të ketë thënë reku i ekzekutivit lokal.

“Qendra Operative Emergjente Lokale do të qëndroj pranë të gjithë banorëve të atyre lagjeve ku janë prekur nga vërshimet, duke i ndihmuar dhe mbështetur ata dhe se komisionet komunale vlerësuese shumë shpejt pritet të dalin në teren për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet” – thuhet më tej në njoftimin e komunës.

Në Mitrovicë sot është bërë pastrimi i rrugëve nga balta, që u krijua si pasojë e vërshime pas reshjeve të shiut në këtë qytet.

Pas situatës me vërshimet, FSK ka vendosur tendë në sheshin kryesor të Mitrovicës, për t’u dalë në ndihmë qytetarëve që po përballen me përmbytje.