Klina nuk lëshoi fatura për qiratë me vlerë mbi 72 mijë euro

Komuna e Klinës nuk ka lëshuar fatura për qiratë e që kapin vlerën e mbi 72 mijë eurove si dhe nuk ka lidhur kontratë me një shfrytëzues të banesës sociale.

Kështu potencohet ne gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për pasqyrat financiare të vitit 2020 të kësaj komune.

“Në 14 nga 28 mostrat e testuara, konstatuam se komuna nuk kishte lëshuar fatura për qiratë në vlerë totale prej 72,060€, prej tyre, tri raste ishin për shfrytëzim të pronës publike, shtatë për shfrytëzim të lokaleve dhe katër për banesa sociale. Përderisa, njëri nga qiramarrësit e shfrytëzimit të banesës sociale nuk kishte kontratë me komunën”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Sipas institucionit kombëtar auditues, shkak i mos lëshimit të faturave për qiranë ishte neglizhenca e personave kompetent për dërgimin e faturave tek qiramarrësit.

Ndërsa, moslidhja e kontratës me Komunën kishte ndodhur për shkak të mosveprimit të Zyrës Ligjore dhe Drejtorisë së Urbanizimit.

Auditori rekomandon se kryetari duhet të siguroj se qiramarrësit marrin faturën për qira nga Komuna si dhe të gjithë qiramarrësit të kenë kontrata. Po ashtu, për qiramarrësit që neglizhojnë ta paguajnë qiranë të ndërmarrë veprime të menjëhershme për largimin e tyre nga pronat, lokalet dhe banesat komunale.

Në raport potencohet se, Pasqyrat Financiare Vjetore të Komunës së Klinës, prezantojnë një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit për Sektorin Publik, sipas kontabilitetit të bazuar në para të gatshme.

Komuna e Klinës gjithashtu kishte nënshkruar pagesa në vlerë mbi 100 mijë eurove nga zyrtarë të paautorizuar.