Komuna e Prishtines, objekti ne lagjen 'Arberia'

Komuna e Prishtinës ndan 700 mijë euro për rikonstruktim të kulmit të objektit të ri në lagjen 'Arbëria'

Komuna e Prishtinës planifikon të bëjë rikonstruktim të kulmit për objektin e ri të komunës në lagjen “Arbëria”.

Objekti i ri i komunës së Prishtinës është përuruar në vitin 2009, derisa për këtë ndërhyrje në kulm, komuna planifikon të ndajë 700 mijë euro.

Në këtë objekt janë zhvendosur thuajse të gjitha drejtoritë e komunës, derisa deri vonë janë dhënë shërbime kryesisht për pronë dhe kadastër.

Në dosje theksohet se me anë të këtij tenderi do kryhen punë si në vijim: demolim, muratim, izolim, pune në pllafon, dysheme, përpunim fasade, punime metalike si dhe punime në dyer e dritare.

Kriter për dhënie të këtij tenderi është operatori ekonomik që ofron çmimin më të ulët.

Sipas të dhënave në dosjen e tenderit, kjo kontratë publike kornizë ka kohëzgjatje prej 12 muajsh dhe është efektive prej datës në të cilën ajo hyn në fuqi.

Buxheti i Komunës së Prishtinës për vitin 2023 është 105 milionë euro, prej tyre 40 milionë janë alokuar për projekte të investimeve kapitale.