Ministria e Financave

Ministria e Financave Liron nga Tatimi Doganor e Akciza Disa Produkte

Ministria e Financave ka njoftuar se me qëllim të zbatimit të reformave fiskale, ministri i  Financave, Bedri Hamza ka sjellë në fuqi vendimet për lirim nga tatimi doganor dhe akciza për lëndën e parë, gjysëm produktet dhe linjat e prodhimit.

Po ashtu MF ka dhënë lajmin se nga java e ardhshme do të lirohen nga tatimi doganor dhe akciza paisjet e teknologjisë informative duke përfshirë edhe pjesët rezervë për paisjet e prodhimit.

“Ministria e Financave është duke e rishqyrtuar edhe legjislacionin e tatimit në të ardhura personale, të ardhura të korportës, Ligjin e TVSH-së dhe Ligjin e Administratës dhe Procedurës Tatimore”, thuhet në njoftim.

Në njoftimin e Ministrisë së Financave thuhet se përmes rishikimit të legjislacionit, Ministria e Financave do të ndihmojë zhvillimin e sektorit privat, në këtë rast sektorin e prodhimit që të ketë mundësi më të mëdha të zhvillimit të prodhimtarsë dhe ofrimit të shërbimeve, jo vetëm brenda vendit tonë por edhe jashtë.

“Vlenë të theksohet se rezultat  shumë pozitiv është arritur përmes vendimeve për lirim nga tatimi doganor, dhe akcizës. Tani do të vazhdojmë me reformën ligjore më të madhe në vendin tonë  me Ligjin e tatimit mbi vlerën e shtuar, ku përveç  lirimit të lëndës së parë e cila prodhohet në vendin tonë, nga tatimi i vlerës së shtuar do të bartet   mbledhja e Tatimit të Vlerës së Shtuar nga kufiri në brendësi të vendit, kjo reformë do të jetë një ndihmë shumë  e madhe për biznesin  për arsye se në të ardhmen bizneset nuk do të kenë të obligushme të paguajnë paraprakisht Tatimin e Vlerës së Shtuar në kufi me rastin e importimit pa e shitur mallin, por do ta paguajnë në brendësi të vendit pas periudhës së rregullt ligjore”, thuhet në njoftimin e MF-së.

Sipas Ministrisë së Financave kjo reformë mundëson që bizneset të kenë likuiditet më të madh, biznesi do të ketë mundësinë që të investojë më shumë në zgjerimin e biznesit dhe do të kursehet nga kreditë dhe intereset e ndryshme bankare që kanë qenë të obliguar t’i marrin për të paguar Tatimin e Vlerës së Shtuar në kufi.

“Kosova prinë për këtë reformë të madhe dhe guxishme në ajon, por Ministri i Financave është i përkushtuar për të bërë reforma që e ndihmojnë sektorin privat dhe që e luftojnë byrokracinë dhe informalitetin me të vetmin qëllim që Kosova të jetë atraktive për investitorët  e vendit dhe të huaj”, thuhet në njoftim.