Foto: Drejtësia në Kosovë

Ministria Demanton Kryetarin e Rahovecit për Ndërrimin e Gypit

Ministria e Zhvillimit Ekonomik tha se nuk ka dhënë asnjë cent për ndërrimin e një gypi të cilësisë së dobët në ujësjellësin e disa fshatrave të Rahovecit.

Mbi 70 mijë euro janë investuar për së dyti në rrjetin e ujësjellësit për pesë fshatra të Komunës së Rahovecit, projekt ky për të cilin ishin shpenzuar 412 mijë euro.

Arsyeja e investimit në ndërrimin e gypave, siç tregoi hulumtimi i “Drejtësia në Kosovë”, po del të jetë cilësia e dobët e gypave të instaluar pak vite më parë nga Komuna e Rahovecit.

Kryetari aktual i komunës Smajl Latifi, tha se komuna ka gjetur përkrahje nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Sipas Latifit, kjo ministri i ka dalë në ndihmë Kompanisë Regjionale të Ujësjellësit “Gjakova”, e cila pastaj i ka ndërruar gypat.

“Ne i përshëndesim këto investime të KRU Gjakovës, të cilat marrin mjete të konsiderueshme edhe një mbështetje jashtëzakonisht serioze nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, përkatësisht Qeveria e Kosovës”, tha kryetari Latifi.

Mirëpo, sipas asaj që transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, Ministria e Zhvillimit Ekonomik e ka demantuar kryetarin Latifi duke treguar se nuk ka ndarë asnjë cent për ndërrimin e gypit.

“Ju njoftoj se projekti për të cilin keni parashtruar pyetjet nuk është financuar nga MZHE, as në vitet e kaluara dhe nuk është pjesë e skemës buxhetore të MZHE-së në vitin 2018. Për sqarim lidhur me këtë projekt duhet t’i drejtoheni menaxhmentit të KRU ‘Radoniqi’ Sh. A.”, thuhet në përgjigje te MZHE-së.

Shkodran Gaxherri nga K.R.U. “Gjakova”, ka treguar se të gjitha mjetet që janë investuar deri më tani në ndërrimin e gypit prej 900 metrave janë investuar nga buxheti i kompanisë.

Por Gaxherri shpreson se komuna do e respektojë marrëveshjen për t’i mbuluar 49 për qind të investimeve.

 

Pas transmetimit të emisionit komuna e Rahovecit ka sqaruar opinionin me një letër Sqarimin e plotë mund ta lexoni këtu;Sqarim per Ujin e pijshem per Rahovec