Takimi me prodhuesit e miellit | Foto: ZKM

Miellit do t’i Vendosen Banderola

Kryeministri Ramush Haradinaj takoi sot përfaqësues të Shoqatës së Prodhuesve të Miellit, me të cilët, sipas një komunikate të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, bisedoi rreth vendosjes së banderolave në produktet e miellit.

“Kryeministri Haradinaj e vlerësoi si hap të rëndësishëm vendosjen e banderolave përmes të cilave do të jetë më e lehtë të kontrollohet cilësia e miellit, informaliteti në ekonomi dhe prodhimi vendor”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, në takim ishin të pranishëm edhe ministri i Financave, Bedri Hamza, drejtori i Doganës, Bahri Berisha dhe drejtori i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu.

Komunikata sqaron se u ra dakord “që Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe Shoqatën e Prodhuesve të Miellit të fillojnë procedurat për zbatimin e vendosjes së banderolave”.

Kryeministri u zotua t’ua heqë prodhuesve të miellit barrierat e panevojshme që pengojnë biznesin e tyre.

Miell me banderola ishte paraparë në pakon e dytë fiskale të prezantuar nga ish-ministri i Financave Avdullah Hoti në janar të vitit që shkoi.

http://kallxo.com/mielli-banderola-ne-pakon-e-dyte-fiskale/