Mësuesi që Mbron Arsimin nga Falsifikimet

Ky emision sjell pamje të ditarit të shkollës dhe librit amzë të shkarravitura dhe falsifikuara pas tentativës për ngritje të notave të disa nxënësve.

Ramadan Ramaj është mësuesi klasor në shkollën fillore ‘Shotë Galica’, nga fshati Tërdec i Drenasit, i cili për dy vjet shëtiti institucionet në shpresë për të gjetur dikë të gatshëm për të luftuar shkeljet që kishin ndodhur në atë shkollën.

Luftën dyvjeçare të tij me kërkesë të dënimit për krimin që ai pretendon se ndodhur ndaj nxënësve nuk e ndali asgjë, madje as ‘hatri i familjes’.

Ai ka sakrifikuar marrëdhëniet familjare me dy vëllezërit e tij të vegjël, njëri drejtor i shkollës në Tërdec, e tjetri kryeauditor i Komunës së Drenasit.

“Në vendet e punës, të gjithë jemi zyrtarë dhe aty lidhjet familjare nuk kanë rëndësi. Krimin ka të drejtë ta luftojë gjithkush dhe ta mbrojë e ta kryejë askush”, tha Ramaj për emisionin “Jeta në Kosovë”.

Kërkesat e tij dhe përgjigjet e marra mund t’i shihni të dokumentuara në këtë emision, së bashku me reagimet e Drejtorisë së Arsimit, Komunës së Drenasit, Inspektoratit të Arsimit, Policisë dhe Prokurorisë së Kosovës.

Për rastin e falsifikimin flet edhe mësuesi që e ka kryer veprën, Fehmi Ramaj, me të cilin diskutohet edhe për problemet e tjera që ai i ka pasur me ligjin.

Pak orë para transmetimit të emisionit, palët e përfshira kanë dërguar reagime me shkrim rreth çështjeve që diskutohen në emision. Fehmi Rama, mësues dhe i dyshuar si autor i falsifikimit të notave ka kërkuar në emër të Sindikatës së Pavarur të Shkollës Fillore “Shotë Galica” në Tërdec që të mos transmetohet emisioni.

Ndër tjera, ai këtë kërkesë e bazon edhe në atë se “jemi afër festës së 17 Shkurtit (Ditës së Pavarësisë) dhe 6 Marsit (ditës së Shkollës në Tërdec)”.

Gjithashtu, Auditori i Komunës, Kamer Ramaj ka bërë kërkesë për mostransmetimin e intervistës së tij  dhe në ndërkohë zëdhënësi i Komunës që ka ofruar dëshmi për ekzistencën e një dokumenti në arkivat e komunës për të cilën Ramadan Ramaj pretendon se i është shqyer nga Kamer Ramaj.

Ekipi hulumtues i ‘Jeta në Kosovë’ me publikimin e këtyre reagimeve siguron se është bërë hulumtim dhe raportim i drejtë i fakteve duke përfshirë këtu edhe versionet e të gjitha palëve të përfshira dhe kundërshtuese.

Emisioni i plotë: