Merr Fund ‘Maratona’ e Tenderit për Shtratin e Lumbardhit

Pas shumë shtyrjeve, anulimeve dhe ritenderimeve, është nënshkruar kontrata e Komunës së Pejës me fituesin e tenderit për rregullimin e shtratit dhe shëtitores së Lumbardhit.

Lajmin për nënshkrimin e kontratës me operatorin fitues e bëri të ditur për KALLXO.com Xhemë Berisha, menaxheri i prokurimit në Komunën e Pejës.

“Po, ma në fund kemi arritur ta nënshkruajmë kontratën për ndërtimin e murit mbrojtës dhe shëtitores së Lumbardhit nga Patrikana e Pejës deri te rruga e Gegajve. Për këtë projekt autoriteti kontraktues, domethënë komuna e Pejës, disa e herë e ka publiku, e ka anuluar dhe e ka rivlerësuar këtë tender,” tha Berisha.

Gazeta Jeta në Kosovë shkroi në janar të këtij viti se ky tender 2.5 milionësh ishte hapur, anuluar dhe  rivlerësuar dy herë që nga marsi i vitit të kaluar për falsifikim dokumentesh të kompanisë fituese dhe për konstatim që komisioni rivlerësues nuk e kishte kualifikimin e nevojshëm.

Maratonë Shkeljesh në Tenderin për Lumbardhin në Pejë

Menaxheri i Zyrës së Prokurimit Xhemë Berisha, tregoi se vlera e tenderit ka ndryshuar.

“Herën e fundit e kemi anuluar dhe e kemi ritenderuar projektin, mirëpo jo me vlerën e tërësishme me të cilën është publikuar në fillim. Kësaj radhe nga Patriakana deri tek Ura e Gegajve fitues është shpallë konzorciumi ‘Lindi dhe Rexha SHPK’ në vlerën prej 833 mijë e 669 euro,” tha Berisha për KALLXO.com

Jeton Abazaj, drejtor i financave në Komunën e Pejës u shfaq i lehtësuar që tenderi i shumëpërfolur për shkelje po realizohet, ndërsa tregoi se pushteti lokal i ka thuajse të gjitha mjetet për fazën e parë të projektit.

“Këtë vit të buxhetuara edhe me buxhet komunal, edhe me të hyra vetanake, i kemi domethënë 400 mijë euro që janë të gatshme në llogari, edhe për vitin e ardhshëm i kemi të planifikuara 350 mijë euro që në total i bije 780 mijë. Prej Ministrisë së Planifikimit Hapësinor i kemi pasur po ashtu një buxhet rreth 60 mijë eurove që e përmbyll pothuajse komplet kontratën që është 880 mijë euro,” tha drejtori i financave.

Abazaj konstatoi se kushtet atmosferike në Pejë mund të ndikojnë që punimet rreth Lumbardhit të nisin në pranverën e vitit të ardhshëm, ndërsa paralajmëroi që pas fazës së parë ddo të ketë edhe fazë të dytë e të tretë të punimeve.