Foto: KALLXO.com
Maratonë Shkeljesh në Tenderin për Lumbardhin në Pejë
Një tender që kap vlerën prej 2.5 milionë eurosh për ndërtimin e murit mbrojtës dhe shëtitores së Lumbardhit në Pejë, është bërë objekt hetimesh dhe akuzash për parregullsi dhe dyshime korrupsioni nga një sërë institucionesh dhe konkurruesish.
Projekti në fjalë ka tetë muaj që nuk realizohet ngaqë tenderi i hapur nga Komuna e Pejës nuk arrin të finalizohet për fillim të punës.
Kompani me dokumentacion të falsifikuar dhe pa përvojë, dhe anëtarë të papërshtatshëm të komisioneve vlerësuese, janë ndër akuzat dhe problemet kryesore të tenderit.
Që nga marsi i viti 2015 e deri më sot, tenderi “Ndërtimi i murit mbrojtës dhe shëtitorja e Lumbardhit” është hapur, anuluar, dy herë rivlerësuar, si dhe është përcjellë me akuza për parregullsi.
Në fillim të muajit mars të vitit 2015, Komuna e Pejës bëri thirrjen për këtë tender, dhe dy muaj më vonë, tenderi u fitua nga kompania Enex Trade me pronar Visar Kelmendin, operator ky i cili ka mposhtur 18 ofertat e tjera.
Por problemet filluan një muaj më vonë, më 16 qershor, ku Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK), lëshoi një opinion për tenderin.
Sipas këtij opinioni, tenderi në fjalë ka pasur shkelje ligjore mes Komunës së Pejës dhe operatorit fitues.
AKK kishte gjetur shkelje te Komuna e Pejës në shpërblimin e Enex Trade, i cili akuzohet se në dosjen e tenderit ka paraqitur referenca false në kryerjen e punëve të mëhershme.
AKK i kishte vërtetuar falsifikimet në Administratën Tatimore të Kosovës, dhe se një objekt afarist që operatori në fjalë pretendonte se e kishte ndërtuar, se kishte ndërtuar, objekti afarist në realitet ishte ndërtuar nga një tjetër operator ekonomik.
Tri ditë pasi që AKK-ja kishte dhënë opinionin e saj ku kishte konstatuar disa shkelje, Komuna e Pejës anuloi dhënien e tenderit me arsyetim se nga kryetari i komunës Gazmend Muhaxheri është shkurtuar buxheti për 1 milion euro, tenderi nuk mund të realizohet.
Pas këtij vendimi, dy operatorët ekonomikë Enex Trade dhe Menti u ankuan pranë Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) se nuk pajtoheshin me anulimin e tërë aktivitetit të prokurimit.
Ekspertja shqyrtuese e OSHP-së, Shqipe Hoti, pas vlerësimit të ofertave të dosjeve të tenderit me datën 14 tetor kishte lëshuar Aktin Përcjellës, ku kishte konstatuar se Komuna e Pejës nuk mund të vendosë për anulimin e procedurës së prokurimit me arsyetim se ka pasur shkurtim të buxhetit.
Kështu që më 29 tetor 2015, zyrtarja e OSHP-së Hoti i dërgoi shkresë Komunës së Pejës që tenderi të shkojë në rivlerësim dhe jo të anulohet në tërësi.
Komuna e Pejës u tërhoq nga vendimi i saj dhe e hodhi tenderin në rivlerësim me urdhër të OSHP-së.
Më 25 nëntor, u shpall sërish fituese kompania Enex Trade, por kësaj radhe në konsorcium me kompaninë “Project Plus” me pronar Afrim Gashin.
Vlera e tenderit të ri u vlerësua në 2 milion e 531 mijë e 400 euro.
Tenderi nuk kalon
Rizgjedhja e Enex Trade si fitues, pavarësisht falsifikimeve të vërtetuara nga AKK, nuk kaloi lehtë.
Katër operatorë ekonomikë dorëzuan një ankesë tjetër në OSHP, duke pretenduar se po favorizohej kompania Enex Trade.
Këto ankesa e shtynë OSHP-në që sërish të bëjë një ekspertizë.
Por, ekspertiza e re doli të jetë e ndryshme nga ajo e ekspertes Hoti, edhe pse kjo e fundit ishte pjesëmarrëse në të dyja ekspertizat.
Kësaj radhe, eksperti Shefqet Malushaj konstatoi në Aktin Përcjellës se komisioni i rivlerësimit, e caktuar nga Komuna e Pejës, nuk e ka pasur kualifikimin e duhur profesional.
Gjithashtu, Malushaj vlerësoi se fituesi Enex Trade është i papërgjegjshëm për arsye të mungesës së referencave për tri vite në vlerë prej 3 milion euro.
Këto ishin shkeljet kryesore në raportin e ekspertizës, andaj ekspertët konstatuan që aktiviteti i prokurimit “Ndërtimi i Murit Mbrojtës dhe shëtitorja e Lumëbardhit” të shkojë në ritenderim.
Në KALLXO.com ishte raportuar ndërkohë se tenderi i Komunës së Pejës kishte shumë shkelje ligjore nga menaxheri i prokurimit, me ç’rast u bë edhe monitorimi i seancës dëgjimore në OSHP.
Më datën 05 Janar 2016 seanca u përcoll me tensione dhe akuza ndaj menaxherit të Prokurimit të Komunës së Pejës, Besim Mulaj, se po favorizonte operatorin ekonomik Enex Trade, duke e shpërblyer me tender herën e parë si dhe në rivlerësim.
Po ashtu, në seancë edhe menaxheri i Prokurimit Mulaj akuzonte ekspertin Malushaj se po bashkëpunonte me kompanitë ankuese, se ekspertiza e tij nuk është e saktë, dhe se aktiviteti i prokurimit nuk mund të shkojë në ri-tenderim.
Eksperti Shefqet Malushaj potencoi se qëndron prapa ekspertizës së tij dhe se faktet e ofruara janë të sakta.
“Unë qëndroj prapa ekspertizës sime, shkeljet të cilat i kam konstatuar janë të sakta dhe mendimi im është që aktiviteti i prokurimit të shkojë në ri-tenderim”, tha Malushaj
Po ashtu, katër operatorët ekonomikë që kishin paraqitur ankesat në OSHP nuk pajtoheshin me vendimin e ekspertëve që aktiviteti i prokurimit të ri-tenderohej.
Ndërsa kompania Menti, e cila pranë OSHP-së ka paraqitur gjithsej 19 shkelje të Ligjit të Prokurimit për tenderin, tha se aktivitet i prokurimit që nga fillimi është përcjellë me shumë parregullsi.
“Sipas mendimit tonë dhe me dy vendime të OSHP-së, vërtetohet fakti se ka pas shumë shkelje procedurale si dhe shkelje të rënda të Ligjit për Prokurim Publik duke anashkaluar ofertën më të lirë, dhe duke shpallur fitues kompaninë Enex Trade”, thuhet në emailin e Menti-t.
Kompania tha se fituesi i tenderit nuk ka referenca meritore për t’u shpallur fitues, duke shtuar se “përgjegjësia bie mbi zyrtarin e prokurimit si personi përgjegjës për dhënie të kontratës publike”.
Enex Trade i mohoi akuzat për falsifikim dhe mungesë kompetence në fushën e ndërtimit të projektit në fjalë.
“Kompania jonë ka të gjitha provat e nevojshme për të vërtetuar përgjegjshmërinë e ofertës tonë, dhe besoj që kjo është përgjigjja më e mirë për të gjitha akuzat e ngritura nga individ apo operator ekonomik”, tha kompania përmes emailit për Gazetën JNK.
Komision i kundërligjshëm
Dokumentacioni i mbërritur në KALLXO.com dëshmonte se komisioni i rivlerësimit ishte i papërgatitur profesionalisht, duke konfirmuar vlerësimin e ekspertit teknik të OSHP-së.
Komisioni i rivlerësimit të tenderit, përbëhej nga tre anëtarë, punonjës të Komunës së Pejës.
Gëzim Lajqi, kryetar i komisionit është njëkohësisht shef i logjistikës në komunë me diplomë të zjarrfikësit.
Dardan Muhaxheri, i cili kishte qenë anëtar i komisionit të vlerësimit herën e parë, ishte edhe anëtar komisioni në rivlerësim, çka është në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik.
Anëtari tjetër, Sokol Kanolli, i cili në kohën e rivlerësimit të tenderit ishte i punësuar me kontratë mbi vepër, dhe më vonë u punësua si asistent për fajlimin e dokumentacionit në Zyrën e Prokurimit.
Gazeta Jeta në Kosovë ka kërkuar interpretim ligjor nga Komisionit Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) lidhur me përbërjen e komisionit rivlerësues.
KRPP-ja konfirmoi se komisioni ishte ndërtuar në mënyrë të parregullt.
“Komisioni i cili e ka kryer vlerësimin e një aktiviteti të prokurimit, nuk ka të drejtë që të kryejë edhe rivlerësimin”, tha Abdyl Limani, ekspert i KRPP-së.
Autoriteti Kontraktues, për rivlerësimin e ndonjë aktiviteti të prokurimit të cilin OSHP e kthen në rivlerësim, duhet të formojë komision të ri, shpjegoi KRPP-ja.
“Komisioni do të përbëhet nga anëtarë me aftësi të duhura, njohuri dhe përvojë, relevante me kërkesat e prokurimit”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni lidhur me kualifikimin e anëtarëve.
Menaxheri i tenderëve
Ankesa tjetër në KALLXO.com për menaxherin e Prokurimit Besim Mulaj, thotë se ai punon në dy institucione – me Kontratë të rregullt në Agjencinë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale (AMKMK), ndërsa në Komunën e Pejës është i punësuar me gjysmë orari.
Gjithashtu, sipas raportimit, Mulaj ka punuar në Doganën e Kosovës, dhe i njëjti është suspenduar.
Gazeta Jeta në Kosovë kërkoi nga AMKMK nëse ai punonte pranë kësaj Agjencie, dhe vetë Besim Mulaj përmes emailit u përgjigj personalisht, duke dërguar edhe akt emërimin.
“Sipas kërkesës suaj po ju informoj se unë (Besim Mulaj) punoj me kontratë të rregullt në AMKMK, me akt emërim nga data 21.10.2015”, u përgjigj zyrtari.
Ndërsa Dogana e Kosovës konfirmoi se Mulaj kishte qenë i punësuar në SHDU (asokohe Shërbimi Doganor i UNMIK-ut, sot Dogana e Kosovës) nga data tetori i vitit 2002.
“Ndaj z. Mulaj është iniciuar procedura disiplinore, nën dyshimin e shkeljes së Rregullores mbi përgjegjësinë disiplinore të doganierëve të UNMIK-ut, dhe njëherit është suspenduar nga puna deri në përfundimin e procesit hetimor”, tha dogana përmes emailit.
Më vonë ky rast shkoi në gjykatë, dhe Dogana pranon aktgjykimin e Gjykatës Supreme për rikthim në punë të Mulaj, mirëpo i njëjti nuk u paraqit më pranë institucionit të Doganës në lidhje me këtë vendim.
“Sa i përket Doganës së Kosovës kam qenë i suspenduar pa arsye, nuk kam pasur interes të kthehem në punë sepse kisha lidhur marrëdhënie me AKMKM”, tha Mulaj për gazetën.
Gjithashtu, ai tha se nuk pajtohet plotësisht me mendimet e ekspertëve të OSHP-së për arsye të kontradiktave ndërmjet dy ekspertizave, dhe se qëllimi i operatorëve ekonomikë ankues ishte zvarritja e procedurave të tenderit.
Për pozitat e punës të cilat i mban në dy institucione, Mulaj tha se diçka e tillë nuk është në kundërshtim me ligjin.
“Do të jem aty [në Komunën e Pejës] deri sa të emërohet menaxheri i Prokurimit sepse Ligji i Prokurimit neni 23 ma lejon një gjë të tillë”, tha Mulaj.
Më tej menaxheri shpjegoi se nuk është hera e parë që mban dy pozita, duke thënë se kishte punuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe me punë dytësore si Menaxher i Prokurimit në Komunën e Graçanicës.
Gazeta JNK edhe në këtë rast kërkoi interpretim ligjor nga Komisionit Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) se në cilat raste një zyrtar i prokurimit mund të zhvillojë procedura të prokurimit për dy autoritet kontraktuese.
Duke cituar Ligjin e Prokurimit Publik (neni 23 paragrafi 3), KRPP-ja tha se diçka e tillë nuk lejohet:
“Asnjë person nuk mund të shërbejë si zyrtar i prokurimit apo si anëtar i stafit të njësisë së prokurimit nëse ai nuk kualifikohet që të merr pjesë në një aktivitet të prokurimit në bazë të dispozitave të paragrafit 3. të nenit 65 të këtij ligji”.
Dy apo më shumë autoritete kontraktuese të cilat kanë prokurime të pakta mund të arrijnë marrëveshje që të përcaktojnë personin e njëjtë si Zyrtar të Prokurimit, shpjegoi KRPP-ja përmes emailit.
Pavarësisht mendimit të ekspertëve që tenderi të anulohet, më 8 janar 2016, OSHP-ja vendosi që lënda të kthehet prapë në rivlerësim për herën e dytë, ndërsa përzgjedhja e një fituesi pritet të ndodhë gjatë ditëve në vijim.