Angela Merkel - Foto: Facebook

Merkel Fiton por i Vështirësohet Formimi i Shumicës

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, duket se është rizgjedhur edhe për një mandat, të katërtin me radhë, në krye të Qeverisë gjermane.

Sipas një sondazhi të publikuar menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve nga ARD, aleanca konservatore e kancelares Merkel, CDU/CSU, ka fituar 32.5 për qind të votave.

BBC raporton se pasi ka fituar rreth 20 për qind të votave, partneri i koalicionit qeveritar, Partia Social-Demokrate, SPD, ka njoftuar se do të kalojë në opozitë.

Në një fjalim para përkrahësve, Merkel ka thënë se ka shpresuar për një “rezultat më të mirë“ dhe ka folur për “sfida të mëdha”.

Në këto zgjedhje ka befasuar me rezultat partia e ekstremit të djathtë AfD, e cila sipas hulumtimeve ka fituar 13.5 për qind të votave.

Ndërsa, partitë e tjera kanë korrur këto rezultate: Liberalët e FDP-së 10.5%, Të Gjelbrit 9.5 dhe Die Linke 9%.

BBC vlerëson se nëse konfirmohen këto rezultate zonjës Merkel i duhet të gjejë partnerë të rinj koalicioni, proces që mund të marrë disa muaj kohë.