Merkel fiton çmimin për qasjen ndaj dyerve të hapura të Gjermanisë për refugjatët
Ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka marrë lëvdata për “guximin e saj të madh moral dhe politik” në mbështetjen e azilkërkuesve.
68-vjeçarja mori vlerësime teksa iu dha çmimi Nansen nga agjencia e OKB-së për refugjatët (UNHCR) të martën.
Gjatë mandatit të Merkelit, Gjermania mirëpriti më shumë se 1.2 milionë refugjatë dhe azilkërkues në kulmin e krizës së emigrantëve 2015-16.
Në atë kohë, Merkel tha se fluksi ishte “një provë për vlerat tona evropiane si rrallë herë më parë”, duke treguar “një imperativ humanitar”.
Duke e komentuar çmimin, shefi i UNHCR-së Filippo Grandi e vlerësoi vendosmërinë e Merkelit për t’i mbështetur të drejtat e njeriut dhe parimet humanitare.
“Duke ndihmuar më shumë se një milion refugjatë për të mbijetuar dhe rindërtuar, Angela Merkel ka treguar guxim të madh moral dhe politik,” tha ai. “Shfaqi një lidership të vërtetë dukë bërë thirrje për dhembshurinë e të gjithëve neve, duke qëndruar e palëkundur kundër atyre që predikonin frikën dhe diskriminimin. Ajo tregoi se çfarë mund të arrihet kur politikanët e ndjekin rrugën e duhur dhe punojnë për të gjetur zgjidhje për sfidat në vend që thjesht t’a zhvendosin përgjegjësinë tek të tjerët.”
Vendimi i Merkelit për të lejuar kaq shumë emigrantë nxiti partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë dhe rezultoi në protesta nga një pakicë e zëshme.
Ajo u kritikua gjithashtu nga disa qeveri se ishte shumë miqësore me refugjatët kur disa shtete partnere të Bashkimit Evropian po i mbyllnin kufijtë për refugjatët dhe azilkërkuesit.
Çmimi Nansen, i dhënë çdo vit, u krijua në vitin 1954 për nder të Komisionerit të parë të Lartë të OKB-së për Refugjatët, eksploruesit norvegjez arktik dhe humanitar Fridtjof Nansen (1861-1930), për t’i shpërblyer arritjet e jashtëzakonshme në humanitarizëm.
Merkel do ta marrë çmimin e saj – i cili vjen me një çmim prej 151,000 dollarësh – gjatë një ceremonie në Gjenevë, Zvicër më 10 tetor./Euronews