Ilustrimi: Kallxo.com

Mënyrat e financimit të partive politike, KDI kërkon transparencë

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka mbajtur një tryezë diskutimi ku ka kërkuar që të ketë transparencë në punimet e grupit punues për plotësim ndryshimin e Ligjit për financimin e subjekteve politike, që është në kuadër të Komisionit për buxhet dhe financa të Kuvendit.

Sipas KDI-së, organizata të ndryshme të shoqërisë civile vendore dhe ndërkombëtare kanë tentuar të marrin pjesë në takimet e grupit punues, por nuk ka qenë e mundur, pasi tre takimet e fundit ishin mbajtur me dyer të mbyllura.

Florent Spahija, këshilltar ligjor në KDI, ka thënë se askush nuk ka informata mbi atë se cilat janë ndryshimet që ky grup po bën në ligjin në fjalë.

“Mos transparenca e grupit punues për një temë kaq të rëndësishme si financimi i subjekteve politike është një tregues i qartë i qasjes që subjektet politike kanë ndaj parimeve bazë të qeverisjes, si transparenca e llogaridhënia”, ka thënë ai.

Analiza e KDI-së mbi ligjin aktual për financimin e subjekteve politike përmban rekomandime konkrete për standardet që do ta garantonin transparencën financiare të subjekteve politike.

KDI ka kërkuar që ligji i ndryshuar për financimin e subjekteve politike të adresojë pesë çështje:

  1. Publikimin e emrave të të gjithë anëtarëve të shtabeve zgjedhore të subjekteve politike në garë.
  2. Detyrimin ligjor që obligon subjektet politike të hapin për publikun llogaritë bankare.
  3. Publikimin e shpenzimeve financiare të secilit kandidat në fushatë.
  4. Publikimin e të dhënave edhe për subjektet juridike (kompanitë) që japin donacione për subjekte politike, jo vetëm të dhënat për pronarët e kompanive.
  5. Publikimin e kalendarëve të të gjitha ngjarjeve, të cilat do t’i realizojë subjekti politik gjatë fushatës.