Kritikohet vendimi i KQZ pasi Lista Serbe mori 360 mijë euro

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 12 janar ka ndarë mjetet buxhetore me vlerë totale prej 4.8 milionë euro për partitë politike në Kosovë, në mesin e të cilave përfituese është edhe partia Lista Serbe. Ky veprim është kritikohet nga ish-krerë të institucioneve e përfaqësues opozitarë.

360 mijë euro është shuma e mjeteve që janë ndarë për partinë Lista Serbe nga KQZ-ja, sipas vendimit për mbështetjen e subjekteve politike për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2024.

Për shkak të përfshirjes së ish-nënkryetarit të Listës Serbe në sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, vendimi për financimin e kësaj partie nga KQZ-ja është shoqëruar me kritika.

Ish-Inspektori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Burim Ramadani ka deklaruar se ky vendim ka dëmtuar integritetin e institucioneve të vendit.

Ai ka thënë se presidentja duhet të ndërhyjë në raport me KQZ-në.

“Kjo ka ndodhur më pak se 4 muaj pas sulmit terrorist në Bansjkë të Zveçanit, ku një rreshter i Policisë së Kosovës ka humbur jetën dhe një është plagosur. Presidentja duhet të ndërhyjë në raport me KQZ-në. Ajo, në një rast të mëparshëm, ka konstatuar se integriteti i KQZ-së dhe besimi publik për KQZ-në është vital. Kryeministri, Qeveria dhe deputetët duhet të iniciojnë procedurat për të ndalur këtë skandal, që po i rrëzon argumentet e Kosovës për përfshirjen e Listës Serbe në sulmin e 24 shtatorit 2023”- ka shkruar ai në Facebook.

Ndërsa, sipas ish ministres së Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj – Stublla vendimi për dhënien e mjeteve është “nëpërkëmbje e shtetit të Kosovës, mungesë ligjshmërie e integriteti nga institucionet e përgjegjëse, si dhe “amnisti” institucionale për agresionin e Banjskës dhe vrasjen e heroit Afrim Bunjaku”.

Në një përgjigje për KALLXO.com ajo ka thënë se Lista Serbe duhet të shpallet jokushtetuese, organizatë terroriste, dhe t’i bllokohen fondet në Kosovë.

“Pasojë e qartë e mospërcaktimit të Listës serbe si organizatë terroriste nga institucionet tona do të jetë rikthimi i saj në pushtet në komunat veriore të Kosovës. Pra nëse institucionet e vendit – specifikisht Presidentja e Kryeministri – vazhdojnë të heshtin këtë situatë të rrezikshme, atëherë do të duhej të mbajnë përgjegjësi për rietablimin e serishëm në pushtet të organizatës kriminale Lista serbe në komunat veriore – pas gjithë tmerrit që ndodhi vitin e kaluar. Kjo do të jetë fatale për Kosovën”- ka thënë ajo.

Ndërsa deputeti opozitar nga AAK, Pal Lekaj ka thënë se ndarja e 360 mijë eurove nga KQZ për Listën Serbe, “është dëshmi që Kosova ka mbet pa zot shpije, dhe nuk ka as rend e as rregull në shtet”.

“Kryeministri, Presidentja duhet të japin llogari para qytetarëve, se pse nuk kanë marrë vendim deri tani për ta shpallur antikushtetuese dhe organizatë terroriste partinë serbe, e cila punon kundër interesave, ligjeve dhe të drejtave të shtetit të Kosovës. Dhe mbi këtë lëshim, tani një parti e cila krerët e saj qëndruan mbrapa sulmeve dhe trazirave në veri, ku Kosova humbi jetë njerëzish e politikisht në raport me Serbinë, fiton para nga shteti ynë”- ka thënë ai për KALLXO.com.

Lekaj ka thënë se si deputet është kundër kësaj ndarje buxhetore.

Lidhur me ketë çështje, KALLXO.com ka biseduar me anëtarin e KQZ-së, nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi i cili ka quajtur të pabaza reagimet për këtë vendim duke theksuar se ndarja e mjeteve është bërë sipas kërkesës ligjore.

Ndërsa, është pyetur nëse ka pas diskutime apo kundërshtime nga anëtarët e KQZ-së për votimin e kësaj pike.

“Atë ditë nuk ka pas asnjë diskutim për ndarjen e buxhetit, as polemika, ka pas pyetje kur është mbajt Kuvendi i Listës Serbe por jo për këtë rast. Bazuar në Ligj ndarja e mjeteve është kërkesë ligjore. Lista Serbe është parti politike e regjistruar në Kosovë. Listën Serbe apo asnjë parti tjetër nuk e shpall KQZ- ja organizatë terroriste”- ka thënë ai.

Ndërsa ka shtuar se shpallja e një partie organizatë terroriste mund të bëhet vetëm nga Gjykata.

“Shpallja e organizatës terroriste mund të bëj vetëm Gjykata dhe vetëm kur Prokuroria ngrit aktakuzë. E atëherë KQZ veç e fshin nga lista. Unë mendoj që ka elemente të veprës terroriste të ish anëtarëve të Listës Serbe por le ta shpallë Gjykata. Deri në atë moment KQZ nuk ka rrugë tjetër”- ka thënë ai për KALLXO.com.

KALLXO.com përmes kërkesës për qasje në dokumente publike ka kërkuar nga KQZ- ja vendimin e plotë për ndarjen e mjeteve buxhetore për partitë politike, dhe është në pritje të përgjigjes.

Gati katër muaj pas sulmit terrorist në Banjskë, në të cilin mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, Lista Serbe ende nuk është distancuar nga ish-nënkryetari Millan Radoiçiq, i cili mori përgjegjësinë për sulmin ndaj policisë së Kosovës nga grupi terrorist serb dhe dha dorëheqje nga pozita e tij në Listën Serbe.

Përkundrazi, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, kishte shpallur tri ditë zie për vdekjen e tre serbëve që morën pjesë në sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.

Për kundër kësaj, ndaj Listës Serbe deri më tani nga institucionet e Kosovës apo ato ndërkombëtare nuk është marrë ndonjë vendim që i ndalon aktivitetin si parti politike.

Pas sulmit, u shtuan zërat se kjo parti duhet të shpallet antikushtetuese dhe organizatë terroriste.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, tha se Lista Serbe duhet shpallur “jokushtetuese” dhe “t’i ndalohet veprimtaria politike”.

“Terrorizmi nuk është një organizatë individuale, në këtë rast Lista Serbe qëndron pas organizimit të sulmeve fashiste ndaj policisë së Kosovës, më 24 shtator, dhe është përgjegjëse për vrasjen e heroit të Kosovës, rreshterit Afrim Bunjaku” – shkroi Qorrolli në Facebook.

Presidentja Vjosa Osmani kishte thënë që është për keqardhje që kjo parti nuk përfaqëson interesa të serbëve të Kosovë, por është vegël e Aleksandar Vuçiqit.

“Është për keqardhje që Lista Serbe në vend se të ishte një parti që lufton për të drejtat e komunitetit serb në Kosovë, është mjet i Vuçiqit për të luftuar paqen ën Kosovë” – kishte thënë Osmani në një intervistë për Radiotelevizionin Publik të Kosovës më 27 shtator 2023.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti, vazhdimisht e ka cilësuar Listën Serbe degë e Partisë Përparimtare Serbe në Kosovë dhe sipas Kurtit, qëllimi i tyre kryesor është që mos lejojnë asnjë parti tjetër të serbëve.

“Ajo nuk është parti e vërtetë. Synimi kryesor i Listës Serbe në Kosovë është që të mos lejojë asnjë parti tjetër të serbëve në Kosovë”- tha Kurti, në një intervistë për Al Jazeera më 29 shtator.

Në tetor të vitit 2023, Lista Serbe ka zgjedhur kryetarin e ri, Zllatan Elek, i cili shpërfaqi frymën e paraardhësve të tij.

Kuvendin Zgjedhor të kësaj partie, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca e ka quajtur tentativë e për t`u distancuar nga sulmi terrorist i 24 shtatorit të Banjskë të Zveçanit. Ai ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të kenë kujdes në shqyrtimin e ligjshmërisë për pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet që pritet të mbahen në 4 komunat veriore.

Nga zgjedhjet e prillit 2023, të cilët u bojkotuan nga serbët, drejtimin në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, që më parë drejtoheshin nga përfaqësuesit e Listës Serbe, e morën katër shqiptarë. Kjo shkaktoi protesta të dhunshme të serbëve, gjatë të cilave mbetën të lënduar rretj 30 ushtarë të KFOR-it dhe dhjetëra protestues serbë.