Foto: ZKM

Kurti: Transparenca e financimit të partive politike, është qenësore

Financimi i partive politike duhet bërë mbi bazën e një kornize të qartë ligjore. Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës Albin Kurti, gjatë diskutimit publik për projektligjin për Financimin e Partive Politike, duke përmendur edhe disa nga kriteret që duhet të përmbajë normativa e re ligjore.

Me të është pajtuar edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë Tomas Szunyok,i cili përmes një video-mesazhi tha se dëshiron t’ju ofroj përkrahje institucioneve të Kosovës për ndryshimet në projektligj, duke i konsideruar ato shumë të rëndësishëm.

Sipas këndvështrimit të Kurtit, projektligji duhet të plotësoj disa parime, ndërsa transparenca e financimit të partive politike, duhet të konsiderohet qenësore.

“Balancë e arsyeshme ndërmjet financimit publik dhe privat, kritere të drejta në lidhje me shpërndarjen e kontributeve ndaj partive politike, rregulla strikte lidhur me donacionet, vendosje e kufirit të shpenzimeve të ndërlidhura me fushata zgjedhore, transparencë e plotë e llogarive bankare dhe përcaktim i autoritetit të pavarur të auditimit dhe sanksioneve për partitë dhe kandidatët të cilët i shkelin rregullat”, tha Kurti.

Ai tha se paratë e derdhura nëpër fushata zgjedhore por edhe ato të cilat shkojnë nëpër partitë politike, e të cilave nuk u dihet as burimi as vlera, paraqesin elemente të korrupsionit dhe ndikojnë në elektorat dhe demokraci.

“Kur një korporatë jep miliona për një politikan, nuk i jep ato sepse ka simpati për politikanin por sepse dëshiron se nesër ai ose ajo të jetë në pushtet të fitoj shumëfishin e investimit përmes tenderëve e licencave shtetërore. Pra për korporatat paratë për një parti politike ose një politikan janë investim që pret edhe kthim edhe fitim. Ne vërtetë shpresojmë që për këto parime të kemi konsensus politik e partiak se është në të mirën e përgjithshme dhe nuk mund të lejojmë që rezultatet e zgjedhjeve dhe qeverisja të përcaktohen nga korporatat”, shtoi Kurti.

Ai vlerëson se është parë i domosdoshëm diskutimi publik me qëllim të arritjes së pajtueshmërisë ndërmjet partive politike në mënyrë që sipas tij, ky projektligj të miratohet në dritë të një procesi të mirëfilltë demokratik.

Edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë Tomas Szunyok, tha se ofron përkrahje, meqë konsideroi se ndryshimet në këtë projektligj janë shumë të rëndësishme.

“Ndryshimet në këtë projektligj janë shumë të rëndësishme dhe kanë për qëllim identifikimin e të metave të cilat janë shfaqur deri më tani përgjatë disa viteve. Reforma është e nevojshme për të përmirësuar dhe forcuar procesin e zgjedhjeve dhe për të siguruar kredibilitet”, theksoi Szunyok.

Sipas tij ky proces legjislativ ka qenë i gjatë dhe sfidues dhe se tani Kosova ka rast të mirë për ta finalizuar këtë pjesë të rëndësishme ligjore.

“Pritjet janë të larta. Financimi i partive politike është një fushë që kërkon reformë urgjente dhe gjithëpërfshirëse për ta rritur transparencën, llogaridhënien dhe efektivitetin”, përfundoi ai.

Rreth dy vite më parë, shoqëria civile përmes protestave e kishte kundërshtuar Projektligjin për Financimin e Subjekteve Politike.

“Me këtë ligj na trajtojnë si klientë dhe jo votues, na fshehin emrat tonë, na ngritin tarifat dhe ulin gjobat për ta. Në këtë ligj janë 27 amendamente që e dëmtojnë frymën e ligjit apo kërkesat nga ERA”, kishte thënë përfaqësuesi i shoqërisë civile, Ismet Kryeziu.

Edhe shefja e atëhershme e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, pati deklaruar se partitë parlamentare duhet të marrin parasysh kërkesat e shoqërisë civile.